U hap Panairi ndërkombëtar “Agrokos & Agroturizëm 2025”, Kurti: Një sektor që po kthehet në pasuri të re për vendin

Prishtinë | 27 Maj 2025 | 14:29 | Nga Gzim Mujaj

U hap edicioni i 25-të i Panairit ndërkombëtar “Agrokos & Agroturizëm 2025”, një ngjarje që mbledh së bashku prodhues, përpunues dhe aktorë të tjerë të sektorit të bujqësisë, agrobiznesit dhe agroturizmit nga Kosova dhe rajoni, raporton Ekonomia Online.

Në ceremoninë hapëse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi rëndësinë strategjike që i është dhënë sektorit të bujqësisë dhe agroturizmit në vitet e fundit.

“Me këtë ngjarje përfaqësohen prodhues të kulturave bujqësore, përpunues të frutave dhe të produkteve blegtorale, kompanitë e makinerive bujqësore, pijeve artizanale si dhe agroturizmi, një sektor që po kthehet në një pasuri të re për vendin tonë. Në tri vitet e fundit qeveria jonë ka marrë hapa të fuqishëm për këtë sektor.

Për herë të parë janë ndarë 300 milionë euro për 120 mijë ferma përmes granteve dhe subvencioneve. Është rritur për 50 për qind toka e punueshme bujqësore në vetëm katër vjet: nga rreth 80 mijë hektarë në mbi 120 mijë hektarë. Ulja e importit dhe rritja e eksporteve flet qartë. Prodhimi vendor dhe konkurrueshmëria e produkteve tona në tregjet e huaja është rritur”, tha ai.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Industrisë, e Tregtisë dhe e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, tha se ky panair është platformë për bashkëpunim dhe promovim të zhvillimit teknologjik si dhe inovacionit në sektorët kyç të ekonomisë.

“Ky panair pritet që të ketë bashkë 100 biznese ekspozuese nga Kosova dhe rajoni që synojnë rritjen përmes bashkëpunimit, prezantimit të produkteve me vlerë dhe risive teknologjike nga zhvillimet më të fundit në industrinë e përpunimit të ushqimit, prodhimit të pijeve si dhe në sektorin më të gjerë të industrisë së mikpritjes, pra akomodimin dhe shërbimet e gastronomisë.

Objektivat e qeverisjes sonë janë që të sjellin një diversifikim ekonomik nëpërmjet zgjerimit të prodhimit industrial drejt aktiviteteve më të larta, përmirësim të konkurrencës dhe shpalosje të kapacitetit inovativ, që rezulton me potencialin e eksportit dhe përmirësimin e bilancit tregtar si dhe përshpejtimin e transformimit digjital në sektorin privat dhe në prodhim”, tha Hajdari.

Të ngjashme