Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbajti një sesion informues për promovimin e programeve të Bashkimit Evropian në të cilat Kosova është pjesëmarrëse, raporton Ekonomia Online.
Enea Osmani nga Zyra e Bashkëpunimit për Zhvillim, njëherësh pikë kontakti për programin CERV në Kosovë, theksoi rëndësinë e programit CERV (Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat), i cili mbështet organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet publike në promovimin e vlerave evropiane, të drejtave të njeriut dhe pjesëmarrjes qytetare.
Ajo theksoi se Kosova është pjesë e programit që nga shkurti 2023, ndërsa një nga thirrjet kryesore – për Binjakëzimin e Qyteteve – është e hapur deri më 17 shtator 2025.
“Ky nuk është vetëm një program financiar—është një angazhim konkret për të fuqizuar qytetarët dhe për të mbrojtur vlerat që na bashkojnë. CERV është një nga programet kryesore të BE-së për periudhën 2021–2027, me një buxhet prej 1.55 miliardë euro. Qëllimi i tij është të mbështesë organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet publike në të gjithë Evropën, duke promovuar të drejtat, barazinë dhe demokracinë. Ai fokusohet në: promovimin e vlerave evropiane dhe të drejtave të njeriut, pjesëmarrjen qytetare, luftimin e diskriminimit dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe ndërtimin e shoqërive përfshirëse. Programi ka katër shtylla: Vlerat e BE-së, Barazia dhe të Drejtat, Pjesëmarrja e Qytetarëve dhe DAPHNE – Lufta kundër dhunës. Aplikimet janë të hapura për OJQ-të, institucionet publike, shkollat, universitetet dhe qendrat kërkimore.”
Sipas saj, një shembull suksesi është projekti “REACH” i QKSS-së.
“Një shembull i mirë i thirrjeve CERV është ajo për Binjakëzimin e Qyteteve, që synon dialogun ndërkulturor dhe solidaritetin përmes shkëmbimeve qytetare. Data e hapjes është 9 prill dhe afati i fundit 17 shtator 2025. Në Kosovë, projekti ‘REACH’—‘Rishpikja e Angazhimit përmes Konsultimeve Pozitive me Qytetarët’—i nisur nga QKSS në korrik 2024 dhe që zgjat deri në dhjetor 2025, ka mbledhur qytetarë dhe vendimmarrës për çështje si sundimi i ligjit, integrimi në BE dhe sfidat mjedisore. Kosova u bashkua zyrtarisht me programin në shkurt 2023. CERV është një mundësi reale për të ndikuar dhe ndërtuar një Evropë më të barabartë dhe demokratike.”
Ndërkohë, pika e kontaktit për Creative Europe, Luljeta Agushi, foli për programin “Evropa Kreative”, ku Kosova është pjesëmarrëse në komponentën e kulturës.
Me një buxhet prej 2.4 miliardë eurosh, programi mbështet projekte në fushën e trashëgimisë kulturore, artit, muzikës, dizajnit dhe arkitekturës.
Ajo theksoi se mungesa e ligjit për KPM-në kufizon përfshirjen në komponentën e mediave, por u inkurajuan aplikimet për periudhën 2025–2027.
“Programi në kuadër të BE-së, që nga viti 2021 kemi pasur fatin që të jemi nga fillimi i këtij programi. Programi Evropa Kreative përmban 40 shtete, në buxhetin e tij është në buxhetin më të madh, ka 2.4 miliardë euro në fushën e kulturës. Jemi në përfundim, në pjesën e fundit të programit ku jemi për vitin 2025–2027, mundësi për të gjithë ju që dëshironi të aplikoni. Si program kryesor ka për qëllim mbështetjen e organizatave kulturore, po ashtu rrit potencialin e zhvillimit ekonomik në kuadër të thirrjeve për kulturë. Kosova është aktive vetëm në segmentin e kulturës, për shkak se në mungesë të ligjit të KPM-së, ndoshta do të na ndihmonte më së tepërmi. Më tepër ka thirrje për qarkullimin e veprave letrare, bashkëprojektet kryesore janë projekte që mbështesin trashëgiminë kulturore, arkitekturën, dizajnin, artin dhe muzikën e çdo gjë që lidhet me kulturën”, shtoi ajo.

