Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se vendimet dhe ligjet që kanë mundësuar daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike janë marrë nga partitë që sot janë në opozitë, përkatësisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), raporton Ekonomia Online.
Muja theksoi se procesi i liberalizimit të tregut ka nisur vite më parë dhe është përgatitur nga qeveritë e kaluara, përmes udhërrëfyesve dhe ligjeve që e kanë përcaktuar afatin e fundit për përfshirjen e bizneseve në treg të hapur deri më 31 mars 2021.
“Sa i përket energjisë, në vitin 2016, PDK dhe LDK kanë qenë në koalicion, më konkretisht dy protagonistë kanë qenë Isa Mustafa nga LDK-ja dhe Blerand Stavileci nga PDK, që kanë miratuar pakon e ligjeve për liberalizimin e tregut të energjisë. Në vitin 2017, ZRRE po ashtu e PDK-së dhe LDK-së e miraton udhërrëfyesin për liberalizimin e tregut të energjisë dhe ata parashihnin që të gjitha bizneset në 35, 20 edhe 10 kilovat të dalin në tregun e energjisë dhe afat përfundimtar ka qenë 31 mars 2021. Kjo është e vërtetë: vendimin për liberalizimin dhe ligjet i kanë marrë forcat politike që po kritikojnë tani. Në vitin 2019, në atë kohë kryetari i OEK, Berat Rukiqi, kandidat për deputet i LDK, pat deklaruar që nëse nuk liberalizohet tregu, të gjitha bizneset falimentojnë. Tash, 5-6 vite më vonë, tjetri ish-pretendent për deputet i PDK-së i cili tash është kryetar i OEK, vjen e thotë të kundërtën,” tha ai.
