30 përpjekje të kota për konstituim të Kuvendit

Prishtinë | 11 Qer 2025 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Dështoi edhe vazhdimi i 30-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Filloi me një minutë heshtje u nderua ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi, i cili nda nga jeta një ditë më parë.

Vazhdoi njëjtë sikurse herët e kaluara: tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

Kryesuesi e seancës konstituive Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

Nga 93 deputetë, 51 votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë më 13 qershor, në orën 11:00.

Muja: Opozita bllokon konstituimin e Kuvendit që të bllokojë formimin e qeverisë

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, akuzoi deputetët e partive të tjera se janë duke bllokuar konstituimin e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

“Pse po vijnë kur nuk votojnë për. Është hera e 22-të që opozita vjen dhe nuk voton dhe kjo paraqet shkelje. Mjerisht, deputetët opozitarë vijnë këtu me qëllimin e vetëm që të bllokojnë konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që të bllokojnë edhe formimin e qeverisë. Brenda grupit të Vetëvendosjes nuk ka përkrahje për një koalicion me PDK-në”, tha Muja.

Krasniqi: 30 shfaqje të papërgjegjësisë së skajshme

Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, përsëriti gatishmërinë për dalje nga kjo krizë, duke votuar një kandidat apo kandidate tjetër, raporton Ekonomia Online.

“30 shfaqje të papërgjegjësisë të skajshme profesionale. VV-ja nuk ka shumicën dhe është duke kërkuar që t’ia imponojë vullnetin të zgjedhurve të popullit tonë. Jemi të gatshëm që të dalim nga kjo krizë duke votuar një kandidat apo kandidate tjetër. Bllokada që VV po vazhdon ta mbaj në Kuvend po na pamundëson që në mënyrë ligjore të kthenim normalitetin në vend”, tha Krasniqi.

Ai komentoi edhe takimin Kurti-Hamza.

“Besoj që Hamza ka qenë shumë i qartë dhe ka treguar fiks siç ka ndodhur. Kurti ka kërkuar që të ketë takim për të diskutuar. As që është pritur e as që kemi dëshirë, as që është diskutuar për ndonjë marrëveshje. Nuk do të më shohësh me Albin Kurtin, duke hyrë në Kuvend për një koalicion”, tha Krasniqi.

Lushaku: LDK-ja nesër shpalos një plan qeverisës prej 15 pikash

Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu, tha se nesër LDK-ja do të shpalos një plan prej 15 pikash, ku do të elaborohen pika të këtij plani qeverisës, raporton Ekonomia Online.

“Kjo është një kosto tepër e lartë për qytetarët e Kosovës për funksionimin tonë si demokraci dhe që e cenon demokracinë tonë. Partia e parë nuk sheh ndonjë urgjencë, sepse ka qëllim final që të mos e lëshoj as ekzekutivin. Ata po arrijnë që të marrin vendime antikushtetuese dhe antiligjore. Sa i përket qeverisë gjithëpërfshirëse nesër LDK-ja do të shpalos një plan prej 15 pikash, ku do të elaborohen pika të këtij plani qeverisës”, tha Lushaku.

Haradinaj: Seancave të Kuvendit u ka humbur kuptimi, situata është për keqardhje

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, tha se seanca e Kuvendit ka humbur kuptimin dhe se shumica e deputetëve kanë të drejtë t’i bojkotojnë ato, raporton Ekonomia Online.

“Mendoj që shumica e deputetëve kanë të drejtë të bojkotojnë Kuvendin dhe po duket që jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve. Se kur do të marrë epilog, do të shohim. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pritet të dalë shpejt, mund t’i japë epilog të caktuar”, tha Haradinaj.

I pyetur se a rrezikojnë pragun nëse shkojnë në zgjedhje të reja, siç janë duke pretenduar partitë e tjera, ai tha se AAK do të jetë gjithmonë këtu dhe se do të jetë subjekt serioz.

“Edhe ne jemi të gatshëm gjithmonë sepse jemi parti politike, ne i kemi pritur zgjedhjet lokale dhe mendoj që do të dalim shumë suksesshëm, por pse jo edhe nëse janë zgjedhjet nacionale në të njëjtën kohë, janë të mirëseardhura. Më vjen mirë që kanë kohë me u marrë me Aleancën, por siç po e shihni, prapë Aleanca do të jetë këtu dhe do të jetë subjekt shumë serioz politik”, shtoi Haradinaj.

Të ngjashme