Në Lipjan shënohet 12 Qershori, kryetari Ahmeti: S’është thjesht datë në kalendar, liria u fitua me mund, djersë dhe gjak

Prishtinë | 12 Qer 2025 | 12:04 | Nga Gzim Mujaj

Me rastin e 26-vjetorit të çlirimit, sot u mbajt një seancë solemne e Kuvendit Komunal të Lipjanit, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, partive politike dhe mysafirë nga Republika e Shqipërisë, raporton Ekonomia Online.

Në këtë aktivitet u vlerësua rëndësia historike e kësaj dite për qytetarët e Lipjanit dhe gjithë Kosovës si dhe u theksua angazhimi i institucioneve për ta nderuar të kaluarën përmes punës për të ardhmen.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se kjo ditë shënon 26 vjet liri, emocion dhe dinjitet të të qenit të lirë. Ai theksoi se 12 Qershori nuk është thjesht një datë në kalendar, pasi liria nuk ka ardhur si dhuratë, por është fituar me mund, djersë dhe gjak.

“26 vjet liri, 26 vite emocion, 26 vite dinjitet e të qenit të lirë. Është një rast i shenjtë për Lipjanin, Kosovën, për secilin prej neve. 12 Qershori nuk është vetëm një datë në kalendar, liria nuk na erdhi si dhuratë, ajo u fitua me mund, me djersë, me gjak. Sot përkulemi me nderimin më të thellë para vlerës sublime të dëshmorëve të kombit, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari”, tha ai.

Duke folur për progresin e Komunës dhe vizionin për të ardhmen, Ahmeti paralajmëroi edhe disa projekte konkrete si ndërtimin e Parkut të Dëshmorëve dhe Martirëve, shtatoren e Presidentit historik Ibrahim Rugova si dhe kullës për veteranët e UÇK-së.

“Një çerek shekulli liri, mjaftueshëm për të mësuar, por edhe pak për të ndërtuar demokracinë e mirëfilltë. Lipjani sot është një qytet që zhvillohet, investon dhe krijon mundësi, një shembull se si ndërtohet vendi me punë dhe përkushtim. Liria është një proces që kërkon përditë përgjegjësi. Le të ndërtojmë një vend ku sundon ligji, ku rinia sheh të ardhmen, ku familja ndjehet e sigurt, ku drejtësia është njësoj për të gjithë”.

“Do të punojmë me përkushtim që e kaluara jonë të transmetohet përkatësisht. Do të zbukurojmë më tutje qytetin, duke ndërtuar Parkun e Dëshmorëve dhe Martirëve, duke ndërtuar edhe shtatoren e Presidentit Historik Ibrahim Rugova dhe duke ndërtuar edhe kullën e veteranëve të UÇK-së”, tha kryetari Ahmeti.

Kryetari i Kuvendit të Bashkisë Fushë-Arrëz nga Shqipëria, Martin Mark Doda, tha se kjo ditë nuk simbolizon vetëm çlirimin e Lipjanit.

“Kjo ditë shënon edhe të ardhmen e ndritur, falë gjakut dhe sakrificës së të rënëve për liri”, tha ai.

Të ngjashme