Pas përfundimit të ceremonisë për shënimin e festës së Vidovdanit në Gazimestan, Policia e Kosovës ka shoqëruar disa qytetarë serbë nën dyshimin për nxitje të urrejtjes dhe intolerancës ndëretnike, raporton Ekonomia Online.
Sipas komunikatës së Policisë, gjithsej 17 persona janë shoqëruar në stacione policore për intervistim, pasi dyshohet se kanë provokuar pjesëmarrësit dhe kanë mbajtur veshje me përmbajtje nxitëse dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Po ashtu, nga Policia është deklaruar se manifestimet kanë kaluar kryesisht qetë dhe pa incidente madhore.
‘‘Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me vendim të të cilëve një të dyshuari i është shqiptuar masa e ndalimit mbi dyshimin e bazuar për veprën penale armëmbajtje pa leje, një tjetri i është shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje, 4 të tjerë janë liruar, kurse 11 të tjerë janë në procedurë të intervistimit’’, thuhet në njoftim.
Tutje, PK-ja ka falënderuar qytetaret për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar, si dhe se i ka siguruar ata policia do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore.
Për shënimin e kësaj feste, autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë marrë masa të shtuara për të garantuar mbarëvajtjen e ngjarjes.
Masat vijnë si pjesë e planit të sigurisë për të parandaluar çdo incident të mundshëm dhe për të ruajtur rendin publik gjatë tubimeve.

