Shkon në 58 numri i të vrarëve nga sulmet izraelite në Gaza

Prishtinë | 30 Qer 2025 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Sulmet izraelite lanë të vrarë të paktën 58 njerëz në mbarë Gazën të hënën, ndërsa banorët në pjesën veriore të enklavës raportuan për njërën nga netët me bombardimet më të rënda në javët e fundit. Ndërkohë zyrtarët izraelitë pritet të diskutojnë në Uashington për një shtytje të re për armëpushim nga administrata e presidentit Donald Trump.

Autoritetet shëndetësore thanë se të paktën 58 njerëz u vranë nga sulmet izraelite të hënën, përfshirë dhjetë në Zeitoun dhe të paktën 13 në jugperëndim të Qytetit Gaza. Mjekët thanë se shumica prej 13 viktimave u goditën nga zjarri i pushkëve, por banorët gjithashtu raportuan për një sulm ajror, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Njëzet njerëz, përfshirë gra, fëmijë dhe një gazetar lokal, u vranë nga një sulm ajror izraelit ndaj një kafeneje në Qytetin Gaza, thanë mjekët. Sindikata e Gazetarëve Palestinezë tha se mbi 220 gazetarë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës në tetorin e vitit 2023.

Ushtria izraelite tha se goditi caqe të militantëve në pjesën veriore të Gazës, përfshirë disa qendra të komandës dhe kontrollit, pasi kishte ndërmarrë hapa për ta zvogëluar rrezikun për lëndimin e civilëve.

Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Izraeli për viktimat e raportuara në pjesën jugperëndimore të Rripit të Gazës dhe ndaj kafenesë.

Bombardimet e reja ndodhën pas lëshimit të urdhrave për evakuim në pjesë të mëdha në veri, ku forcat izraelite kishin operuar më parë dhe kishin lënë pas vetes shkatërrim të shkallës së lartë.

Ushtria izraelite i urdhëroi njerëzit atje që të niseshin drejt jugut, duke thënë se planifikonte që të luftonte kundër militantëve të Hamasit që operojnë në pjesën veriore të Gazës, përfshirë zemrën e Qytetit Gaza./Nacionale

Të ngjashme