Kurti: Gjithmonë jam për ura bashkëpunimi, kush ka dilema të më kontaktojë

Prishtinë | 01 Kor 2025 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se është gjithmonë për ura bashkëpunimi dhe për të mirën e vendit, kur u pyet nga gazetarët për takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me partitë politike, raporton Ekonomia Online.

Madje, Kurti tha se kushdo që ka dilema për këtë, mund ta kontaktojë për sqarime.

“Unë gjithmonë jam për ura bashkëpunimi dhe marr pjesë në takime. Gjithçka që bëjmë është në përputhje me planet tona dhe në të mirë të qytetarëve. Ata që kanë dilema, mund të na kontaktojnë lirisht. Ju e dini qëndrimin tonë, jemi për hapje dhe për ura lidhëse, përfshirë edhe urën kryesore mbi lumin Ibër. Aktualisht atje ka vetëm njësi të policisë, dhe natyrisht, edhe ajo urë do të hapet”, tha Kurti pas vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, raporton Ekonomia Online.

Kurti po ashru ka deklaruar se Qeveria mbetet e përkushtuar për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, duke e cilësuar atë si një hap të nevojshëm për qarkullim të lirë dhe bashkëpunim ndërmjet pjesës jugore dhe veriore të Mitrovicës.

“Ju e dini qëndrimin tonë, që ne jemi për t’u hapur edhe ura kryesore mbi lumin Ibër. Nga 79 ura, së shpejti vetëm njëra ka polici të uniformuar aty, përkatësisht karabinierët italianë. Natyrisht që edhe ajo do të hapet. Ne asnjëherë nuk heqim dorë prej asnjërit qëllim dhe qëndrim që kemi,” tha Kurti.

Ai theksoi se janë bërë matjet e nevojshme për të vlerësuar gjendjen teknike të urës dhe se ajo është e qëndrueshme për qarkullim, por se hapja e saj varet nga qëndrimi i karabinierëve italianë që aktualisht e kontrollojnë atë zonë.

“Ura aktuale do të hapet. Po ashtu, aty, siç e dini, janë karabinierët italianë. Prej nesh është kërkuar që të bëhen matjet e nevojshme në mënyrë që të vlerësohet qëndrueshmëria e urës. Matjet i kemi bërë – ura është e qëndrueshme. Prandaj, sa më parë të hapet, aq më e arsyeshme është. Dhe kur do të hapet kjo, varet edhe nga karabinierët italianë. Ne nuk dëshirojmë që të krijojmë kurrfarë përplasje me askënd, përfshirë edhe karabinierët italianë. Prandaj edhe po i presim kur ata të binden, sikur jemi të bindur ne, që ura ka nevojë për qarkullim edhe të automjeteve, jo për persona të uniformuar”, tha ai. 

I pyetur për procedurat e tenderimit dhe përfundimin e shpejtë të tyre, Kurti tha se gjithçka është zhvilluar sipas ligjit dhe nuk ka pasur asnjë shkelje.

“Kjo tregon efikasitetin e Qeverisë dhe gjithçka është sipas ligjit dhe rregullave. Nuk e kemi asnjë shkelje nga më të voglat,” deklaroi ai.

Kur u pyet nëse ura do të përdoret edhe nga serbët dhe nëse ekziston rreziku që punimet të ndalen, Kurti u shpreh se Kosova tashmë ka hyrë në një kohë të re të bashkëpunimit dhe se spekulimet për rreziqe janë të panevojshme.

“Ka kaluar koha e barrikadave, është koha e bashkëpunimit, e qarkullimit të lirë dhe shkëmbimeve sa më të mëdha të mallrave, të kapitalit, të shërbimeve, pandarje. Unë besoj që këto ura do t’i shfrytëzojnë jo vetëm shqiptarët, por që të gjithë – e nga pjesa veriore, posaçërisht serbët që dihet se në komunën veriore të Mitrovicës ata janë shumicë. Nga ana jonë nuk ka rrezik. Punimet i zhvillojmë ne. Nëse dikush shkel ligjin, pengon punimet, atëherë duhet të merremi me ata ose ato, e jo me ata të cilët janë duke punuar. Prandaj, nuk është mirë të hedhim dyshime të panevojshme dhe të spekulojmë për rreziqe që nuk janë aktuale,” përfundoi Kurti.

Të ngjashme