Sveçla për vdekjen e 27 vjeçarit në Lipjan: Fajtorët do të marrin dënimin e merituar

Prishtinë | 08 Kor 2025 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut Agon Zejnullahu në Lipjan, do të marrë dënimin e merituar.

“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan.
Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal.
Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar.
Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast”, shkroi në Facebook Sveçla.

Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të së hënës, pak pasi u arrestua nga policia, për shkak të dyshimeve se po sulmonte automjete dhe kalimtarë.

Familja e tij ka thënë se Zejnullahu vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia gjatë arrestimit. Për rastin është rekomanduar suspendimi i pesë zyrtarëve policorë, të cilët janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën “vrasje nga pakujdesia”.

Të ngjashme