Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe veçanërisht atë të kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar si imponuese dhe autoritare, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po udhëhiqet procesi i konstituimit të Kuvendit, të cilën e ka quajtur “një vazhdimësi të abuzimit me qytetarët dhe me institucionet demokratike”.
Ai shtoi se vendimi për të vazhduar seancën në orët e vona të natës është dëshmi e një qasjeje tallëse dhe jo serioze ndaj detyrimeve parlamentare.
“Meqenëse vazhdimi i abuzimit u shfaq edhe sot me qasjen autoritare e imponuese nga ana e kryesuesit, dhe ai na ftoi të jemi këtu sërish për në orën 22:00, siç po shihet për të vazhduar talljen me qytetarët, unë nuk po e mbaj fjalën tash, por me mirëkuptim po kërkoj që në vazhdimin e seancës që do e mbajmë në orën 22, ta them atë që e kam planifikuar”.
Kreu i PDK-së theksoi se përkundër këtij realiteti, partia që ai përfaqëson nuk do të lejojë që një mentalitet autoritar të zërë vend në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar sjelljen e VV-së si përpjekje për të vendosur një “diktat” institucional.
“Po them se e pata nderin jetësor të zgjidhem deputet për 7 herë, por situatë më absurde se kjo s’ka pasur kurrë. Shpresoj shumë se qytetarët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë se mentaliteti autoritar dhe i diktatit që Albin Kurti po tenton ta instalojë edhe në Kuvend, ka marrë fund se s’do ta lejojmë të kalojë”, u shpreh Krasniqi.
