Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk beson që është konsumuar afati prej 30 ditësh i paraparë nga Kushtetuta, pasi deputetët nuk kanë pasur rastin të votojnë ende.
Ai ka treguar se pas seancës ka pasur takim me presidenten, ku kanë shkëmbyer mendime dhe presidentja u interesua për zhvillimet e fundit, raporton Ekonomia Online.
“Me presidenten kemi pasur takim dhe thjesht kemi shkëmbyer mendimet pas seancës. Presidentja u interesua për zhvillimet, nuk ka asgjë më tepër. E njoftuam se fatkeqësisht nuk ka marrëveshje, tash e tre muaj”.
“Gjykata Kushtetuese ka hyrë në veprim me masën e përkohshme, ka pasur kërkesa nga deputetët për të gjetur një zgjidhje juridike të kësaj situate”, tha Limaj,
Tutje, Limaj u shpreh se 30 ditëshi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese, beson se nuk është konsumuar pasi sipas tij, deputetët nuk kanë votuar.
“I thashë presidentes atë që iu kam thënë juve sot se 30 ditëshi nuk është konsumuar. Besojmë që për këto 30 ditë, deputetët nuk kanë pasur rastin të votojnë dhe si e tillë besojmë se nuk është konsumuar pasi ata deputetë nuk kanë pasur mundësi ta ushtrojnë detyrën e tyre”.
