Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u prezantua raporti informues lidhur me ecurinë e përgatitjes së Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ shqyrtoi dhe miratoi dokumentin që analizon votat e pavlefshme në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025. Sipas këtij dokumenti, nga numri i përgjithshëm i votuesve (966,283) që votuan në vendvotimet e rregullta, vendvotimet me kusht dhe në votimin jashtë Kosovës, 2.83 për qind e fletëvotimeve ishin të pavlefshme apo të zbrazëta.
Nëse të dhënat e vitit 2025 krahasohen me të gjitha proceset zgjedhore të kaluara (2007, 2010. 2014, 2017, 2019 dhe 2021) në të cilat është aplikuar sistemi zgjedhor me lista të hapura, pra ku votuesit kanë zgjedhur subjektin politik dhe kandidatët për deputetë, atëherë në zgjedhjet e 9 shkurtit është regjistruar numri dhe përqinjda më e ulët e fletëvotimeve të kësaj natyre. Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në vitin 2001 dhe 2004, ishte aplikuar sistemi zgjedhor me lista të mbyllura, ku votuesit mund të votonin vetëm për subjektin politik.
