Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të seancës konstituive, duke kritikuar ashpër situatën politike dhe mënyrën si po menaxhohet procesi i konstituimit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka akuzuar partitë e tjera për mungesë serioziteti dhe për thellimin e bllokadës institucionale.
“Gjendja e tanishme është shembulli më i mirë se ku të sjellë çmenduria e populizmit”, ka thënë Abdixhiku pas seancës. “Pra, bllokohet një Kosovë e tanë për shkak të një pozite tërësisht të parëndësishme të nënkryetarit të pestë të Kuvendit të Kosovës. Pa marrëveshje politike nuk mund të ketë zgjidhje, sepse nuk ka shumicë.”
“Në këtë pikë shihet edhe naiviteti i partive të tjera, të cilat jo vetëm që po e mbajnë Kuvendin të bllokuar, por edhe na lënë me një kryetar Kuvendi si Dimal Basha, i cili sot jo vetëm që vazhdoi me shkelje të Kushtetutës, por edhe me pretendimin se Kuvendi është konstituuar, pa interpretuar qartë Kushtetutën e Kosovës”, ka theksuar Abdixhiku.
