“Kërkimfalja” e Snoop Doggut për komentet mbi filmin “Lightyear” rezulton e rreme

Prishtinë | 01 Sht 2025 | 10:27 | Nga Ekonomia Online

Pas reagimeve që ngjalli me komentet e tij kundër paraqitjes së një çifti të së njëjtës gjini në filmin e animuar “Lightyear”, në rrjetet sociale qarkulloi një postim i ashtuquajtur “kërkimfalje” nga Snoop Dogg. Por sipas mediave amerikane, ky postim ishte i rremë.

Një kontroll i profileve zyrtare të reperit 53-vjeçar nuk tregon asnjë reagim apo kërkimfalje.

Burime të afërta me të kanë konfirmuar për “Deadline” se Dogg nuk ka shkruar dhe as nuk ka dërguar një koment të tillë.

“Është i rremë”, ka thënë një burim i afërt me artistin.

Dogg, gjatë paraqitjes së tij më 20 gusht në podcastin “It’s Giving”, ka kritikuar skenën e filmit. Ai tregoi se nipi i tij e pyeti se si një grua mund të ketë fëmijë me një grua tjetër.

“Nuk shkova për këtë punë, thjesht shkova të shoh filmin. Po më fusin në gjëra për të cilat nuk kam përgjigje. Më hutoi. Këto janë filma për fëmijë. Në këtë moshë a duhet ta tregojmë këtë? Se ata do të bëjnë pyetje. Unë nuk kam përgjigje”, pati thënë Snoop.

Filmi “Lightyear”, i cili është rikrijim i filmit të vjetër të Disneyt në bashkëpunim me Pixar, “Toy Story”, me zërin e aktorit, Chris Evans si astronauti i famshëm, përmban një skenë ku personazhi Alisha puth bashkëshorten e saj, Kiko.

Pikërisht kjo skenë bëri që filmi të ndalohej në disa shtete të Lindjes së Mesme, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Egjiptin, Kuvajtin, Omanin dhe Katarin.

Të ngjashme