LDK kritikon MAShT-in: Subvencionimi i teksteve shkollore nuk e mbulon koston reale

Prishtinë | 01 Sht 2025 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore, duke thënë se kostoja reale që përballin prindërit është dukshëm më e lartë se mbështetja që ofron qeveria, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se viti i ri shkollor e ka gjetur sot personelin arsimor në kushte të papërshtatshme, ndërsa Ministria e Arsimit nuk po u ofron mbështetjen e nevojshme.

Sipas saj, shumë prindër ende nuk kanë marrë shtesat e premtuara nga MAShT-i.

“Për fat të keq, ky vit shkollor nuk na gjen të përgatitur. Nuk ka pasur reforma përmbajtësore që të ngritin cilësinë në arsim. Fëmijët ndjekin mësimin në kushte minimale, ndërsa mësimdhënësit gjenden pa paga dinjitoze, pa përkrahje të duhur dhe me kushte të vështira pune. Ata nuk kanë mjete digjitale, as kurikulë digjitale. Po ashtu, prindërit përballen me vështirësi të jashtëzakonshme në sigurimin e teksteve, sepse Ministria e Arsimit, në pamundësi për të përmbushur obligimet ligjore, ia ka kaluar këtë përgjegjësi atyre. Shumica e prindërve sot, më 1 shtator, nuk i kanë marrë subvencionet e planifikuara për shkak të vonesave dhe mungesës së librave në librari e shtëpi botuese. Për më tepër, kostoja e librave është dukshëm më e lartë sesa do të ishte në rast se MAShT do t’i siguronte vetë”, tha ajo.

Deputetja shtoi se shuma që mbulon ministria është e pamjaftueshme në raport me shpenzimet reale që kanë prindërit.

“E kemi kritikuar sepse kostoja e teksteve shkollore është shumë më e lartë sesa subvencioni që jep MAShT. Shumë komuna nuk kanë as librari, ndërsa në disa vende librat shiten me çmime të ndryshme. Për klasat I-V, MAShT i subvencionon prindërit me 80 euro, por çmimi mesatar i librave bazë është 120-130 euro. Për klasat VI-IX, MAShT po ashtu subvencionon me 80 euro, por kostoja e materialeve arrin 130-140 euro”, theksoi Lushaku-Sadriu.

Të ngjashme