Avokati Gent Gjini ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj qytetarit të tij, i cili akuzohet për sulm ndaj personit zyrtar, përkatësisht policëve.
Gjini tha për Ekonomia Online se vendimi është skandaloz, pasi videot e siguruara tregojnë se klienti i tij është rrahur nga tre policë, ndërkohë që ai tash po trajtohet si sulmues.
“Gjykata i ka caktuar paraburgimin qytetarit tim, edhe pse në fakt ai është i dëmtuar. Videot e siguruara tregojnë qartë se si tre policë e kanë rrahur një qytetar të vetëm. Skandali tjetër është se spreji, i cili është përdorur gjatë rastit, mungon në vendimin e paraburgimit. Policia e ka fshehur sprejin, edhe pse ai është dashur të jetë pjesë e provave”, tha Gjini.
Avokati shtoi se vendimi i Gjykatës është marrë pa u administruar të gjitha provat nga vendi i ngjarjes.
“Gjykata ka caktuar paraburgimin pa i marrë provat – kamerat nga vendi i ngjarjes. Videot që unë i kam siguruar janë bërë nga qytetarët dhe aty shihet qartë se si klienti im është rrahur e pastaj prangosur. Në fund, policët paraqiten si viktima kinse janë të lënduar. Si mund të lëndohen ata, kur klienti ishte i prangosur dhe madje i spërkatur me sprej?”, theksoi ai.
Gjini paralajmëroi se ky rast mund të përfundojë si rasti i Agon Zejnullahut, duke kritikuar ashpër mënyrën e trajtimit nga Policia dhe Gjykata.
“Ky është një skandal i madh i drejtësisë. Në vend që të mbrohet viktima, po viktimizohen policët. Pyes publikisht se me çfarë baze dhe provash është caktuar paraburgimi? Dhe përse IPK-ja nuk del me reagim për suspendimin e policëve të përfshirë?”, u shpreh avokati.
Ai ka bërë të ditur se ka dorëzuar videot si prova dhe ka theksuar se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për klientin e tij.

