Kurti në gjykatë, Bajrami: Ligji për të është i drejtë vetëm kur i konvenon

Prishtinë | 03 Sht 2025 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë mëngjesit të sotëm është paraqitur në gjykatë për kanosje ndaj tij nga Faton Klinaku.

Klinaku, së bashku me një person tjetër me inicialet N.S., akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për kanosje ndaj Kurtit përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023. Të dy, janë deklaruar të pafajshëm.

Rreth shkuarjes së kryetarit të VV-së në gjykatë, Bajrami thotë se ai refuzon, përçmon dhe injoron thirrjet e Prokurorisë për të dhënë dëshmi si dëshmitar në Prokurorinë Speciale për dallaveret me rezervat shtetërore, ndërkaq sot shkoi si viktimë, në një rast të kanosjes.

“Sot kemi probleme të mëdha socio-ekonomike, por dëmi më i madh vjen nga denigrimi i institucioneve të drejtësisë. Ata që i dëmtojnë këto institucione duhet të ndëshkohen me votë”, ka shkruar Bajrami në llogarinë e saj në Facebook.

Ajo poashtu thotë se deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale.

Postimi i plotë:

Kur Gjykata Kushtetuese, gjykatat e rregullta ose Prokuroria vendosin në favor të Kurtit dhe Vetëvendosjes, ato menjëherë lavdërohen si mbrojtëse të ligjshmërisë dhe rendit në Republikë. Kur po të njëjtat institucione nxjerrin vendime që cenojnë interesat e Kurtit dhe VV-së, menjëherë shpallen të korruptuara, të politizuara dhe të manipuluara, madje edhe si vegla të Serbisë.
Prokuroria konsiderohet e pavarur dhe e drejtë vetëm kur merret me rastin “Pronto”, ndërsa kur trajton aferën “Zdravo” të dyshes Kusari-Radojiçiq, diskreditimi është i menjëhershëm.
Sot, deputeti Kurti u shfaq në gjykatë si viktimë, në një rast të kanosjes. Veç paramendoni makinerinë e Kurtit dhe VV-së dhe sa kërcënime e kanosje u kanë bërë të tjerëve! Deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale.
Ai, që mban jashtëligjshëm pozitën e Kryeministrit në detyrë, e sheh drejtësinë si tavolinë suedeze: merr çka i duhet dhe refuzon çka nuk i pëlqen.
I njëjti person refuzon, përçmon dhe injoron thirrjet e Prokurorisë për të dhënë dëshmi si dëshmitar në Prokurorinë Speciale për dallaveret me rezervat shtetërore.
Sot kemi probleme të mëdha socio-ekonomike, por dëmi më i madh vjen nga denigrimi i institucioneve të drejtësisë. Ata që i dëmtojnë këto institucione duhet të ndëshkohen me votë.

Të ngjashme