Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave civile, ka reaguar ndaj mosshpërblimit të zjarrfikësve në Kosovë, të cilët, sipas tij, kanë luftuar me dhjetëra zjarre gjatë kësaj vere, shpesh pa pajisje adekuate dhe duke rrezikuar jetën.
Ahmeti ka vlerësuar vendimin e Qeverisë së Shqipërisë, e cila i ka shpërblyer zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencave me 1 deri në 3 paga shtesë, për punën heroike që bënë në menaxhimin e situatave të rënda me zjarre.
Ndërkohë, ai ka kritikuar autoritetet në Kosovë për mungesë të vullnetit dhe vlerësimit institucional ndaj zjarrfikësve vendorë.
“Është e pafalshme që Qeveria në detyrë e Kosovës nuk i ka shpërblyer ende! Respekti për punën e zjarrfikësve matet me vepra, jo me fjalë,” ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka bërë thirrje për veprime konkrete dhe shpërblim të drejtë për zjarrfikësit, të cilët, sipas tij, mbeten në vijën e parë të frontit sa herë vendi përballet me kriza natyrore dhe emergjenca civile.