Ceremoni përkujtimore kushtuar ish-të burgosurve politik, me rastin e botimit të leksikonit “Shtigje të lirisë”

Prishtinë | 03 Sht 2025 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Në Prishtinë u mbajt ceremonia përkujtimore kushtuar ish-të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, me rastin e botimit të vëllimit të parë të leksikonit “Shtigje të lirisë: Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944–1953 I”, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky botim është dëshmi e qëndresës për liri dhe dinjitet kombëtar, duke theksuar rëndësinë që kjo histori të ruhet dhe të përcillet te brezat e rinj përmes programeve edukative.

“Është nder i veçantë që sot shënojmë këtë ceremoni përkushtuar sakrificës së të burgosurve politikë. Një dëshmi e çmuar e rezistencës, qëndresës për liri, dinjitet kombëtar. Ky libër përmban rreth 300 biografi që synon të përfshijë dhjetëra vëllime dhe mijëra biografi, është një dokument arkivor për të gjithë, që duhet të rrëfehet dhe të mos humbasë asnjëherë në kujtesën kolektive. Dokumentet kanë evidentuar rreth 900 persona që kanë përjetuar dënime politike me ekzekutime. Ne si kryeqytet nuk do të kemi qëndrim ceremonial dhe të largohemi, por kërkojmë mbështetje për vëllimet e tjera, me aq sa mundemi mbështesim me program edukativ, në mënyrë që historitë të shpalosen dhe brezat e rinj ta dinë se sa e vështirë ishte rrugëtimi jonë”, theksoi Rama.

Ndërkaq, Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, tha se shumica e burgosjeve politike gjatë shekullit të kaluar u bënë nga pushteti jugosllav, dhe se kjo sakrificë për liri u kurorëzua me luftën dhe çlirimin e Kosovës nga UÇK-ja në bashkëpunim me popullin shqiptar.

“Burgosjet politike që kanë ndodhur gjatë shekullit të kaluar, shumica prej tyre i ka burgosur pushteti jugosllav. Të gjithë do ta keni rastin ta merrni librin dhe ta lexoni. Është e rëndësishme ta kujtoni sakrificën që ka qenë për interes nacional, deri në mbarim të luftës dhe çlirimin e Kosovës, të cilën e realizoi UÇK-ja bashkë me popullin shqiptar”, ka thënë Sadiku.

Në fund të ceremonisë, kryetari Rama ndau mirënjohje për kontributin dhe sakrificën e ish-të burgosurve politikë, duke vlerësuar angazhimin e tyre për lirinë dhe të ardhmen e vendit.

Të ngjashme