Kurti në ceremoninë e diplomimit në Universitetin “Kadri Zeka”: Diploma është fillimi i një rruge të gjatë

Prishtinë | 08 Sht 2025 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 150 studentëve të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Ai e cilësoi këtë si një ditë të paharrueshme që kurorëzon përkushtimin dhe punën e studentëve ndër vite.

Kurti theksoi se ky universitet është bërë vatër e dijes jo vetëm për rajonin e Anamoravës, por edhe për studentë nga Lugina e Preshevës e deri në Kumanovë. Ai vlerësoi konsolidimin e këtij institucioni me gjashtë fakultete dhe 15 programe studimi, si dhe riakreditimin pesëvjeçar si dëshmi e standardeve të larta akademike.

Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se arsimi është e drejtë e pakushtëzuar dhe kujtoi se arsimi i lartë publik është falas që nga fillimi i mandatit të tij. Ai përmendi ndarjen e mbi 1200 bursave për studentët e këtij universiteti dhe rritjen e buxhetit për kërkime shkencore.

Në përmbyllje, Kurti i inkurajoi studentët të mos ndalen së kërkuari dije, duke e cilësuar diplomën si fillimin e një rruge të gjatë me suksese, krenari dhe shpresë për të ardhmen e vendit.

Të ngjashme