Kadrijaj: Kurti po mundohet të mashtroj dhe fsheh krizën më të madhe që ka pasë ndonjëherë Kosova në raport me SHBA-në

Prishtinë | 19 Sht 2025 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili mohoi se ka përkeqësim të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ia atribuar këtë opozitës.

Kadrijaj tha se opozita nuk po zmadhojnë asgjë, përkundrazi, janë deklaratat e Ambasadës amerikane ato që flasin vetë.

“Opozita nuk po zmadhojnë deklaratat e Ambasadës, ato kanë qenë të qarta: është pezulluar bashkëpunimi me Qeverinë. Ndërkohë, z. Kurti vazhdon të mohojë realitetin, edhe pse edhe Gjermania ka pasur reagime të ngjashme ndaj tij,” tha ajo.-Advertisement-

Kadrijaj theksoi se ndalimi i takimeve nga zyrtarët amerikanë me Kurtin është dëshmi e qartë e krizës në marrëdhëniet me SHBA-në.

“Ka prishje të dialogut dhe deklarata të qarta nga zyrtarë amerikanë se nuk kanë bashkëpunim me Kurtin dhe nuk duan takime me të. Ai mundohet t’i minimizojë, por kjo nuk do të thotë që ne po i zmadhojmë,” u shpreh Kadrijaj për Infokus.

Deputetja e AAK-së akuzoi Kurtin se po mashtron opinionin publik, duke tentuar të mbulojë krizën më të madhe diplomatike që ka pasur Kosova me partnerin kryesor strategjik,  Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, në mbledhjen e Qeverisë, Kurti foli për herë të parë pas vendimit të SHBA-së për pezullimin e Dialogut Strategjik, duke thënë se Qeveria i trajton seriozisht deklaratat e Ambasadës amerikane -deklaratë që, sipas opozitës, bie ndesh me realitetin në terren.

Javën që shkoi Departamenti Amerikan i Shtetit mori vendim për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën duke theksuar se arsye për këtë ishin konkretisht veprimet e qeverisë Kurti. Ky vendim nxiti reagime të shumta derisa nga qeveria deklaruan se i “mirëpresin kritikat kur ato janë konkrete”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme