Gërxhaliu: Inflacioni është bërë problemi më i madh i përditshëm

Prishtinë | 22 Sht 2025 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka bërë një analizë për ekonominë e shifrave. Ai ka thënë se Kosova është në një udhëkryq, duke shtuar se inflacioni është bërë problemi më i madh i përditshëm.

Postimi i plotë i Gërxhaliu:

Gërxhaliu: Kosova përballë zgjedhjeve Lokale : Ekonomi e shifrave apo ekonomi e qytetarëve, në letër kemi rritje ekonomike e në realitet kemi varfërim

Iluzioni i rritjes!

Për vite me radhë jam marrë me ekonominë e Kosovës, si analist, si përfaqësues i biznesit dhe si qytetar i këtij vendi. Kam dëgjuar shpallje për rritje ekonomike, për progres, për fitore në statistika. Por kam parë edhe fytyrën e vërtetë të tregut: qytetarin që varfërohet përditë nga inflacioni, biznesin që mbijeton me kosto të larta, të rinjtë që largohen sepse nuk shohin perspektivë.

Kosova sot është në udhëkryq. Në letër kemi rritje; në realitet kemi varfërim. Në fjalime kemi sovranitet; në përditshmëri kemi pasiguri. Dhe pikërisht në këtë sfond mbahen zgjedhjet komunale – një provë e madhe për të ardhmen e vendit.

Inflacioni: tatimi i padukshëm mbi qytetarin

Inflacioni është bërë problemi më i madh i përditshëm. Çdo muaj, qytetarët blejnë më pak me të njëjtat të ardhura. Një rritje nominale e PBB-së pa kontroll mbi inflacionin është një mashtrim makroekonomik. Siç thoshte Milton Friedman, inflacioni është tatimi më i padrejtë, sepse e godet më shumë atë që ka më pak. Kjo është ajo që po ndodh sot: më të varfrit dhe shtresa e mesme po mbajnë barrën e “rritjes” së shpallur në konferenca.

Nga toka te kapitali: themelet e krisura të ekonomisë

Problemet nuk kufizohen te çmimet. Ato shtrihen në çdo sektor, duke e bërë ekonominë të brishtë.

Bujqësia mbetet e harruar. Tokat janë të fragmentuara, mekanizimi i kufizuar, zinxhiri i përpunimit pothuaj inekzistent. Kosova importon ushqime bazë ndërkohë që fermeri vendas lufton të shesë prodhimin. Një vend që nuk ushqen vetveten, nuk mbron dot as sovranitetin ekonomik.

Energjia është pasiguria më e madhe. Termocentralet e vjetra nuk garantojnë furnizim stabil, humbjet në rrjet janë alarmante, çmimet rriten. Bizneset kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër tarifave – dhe kur biznesi proteston për energjinë, ky nuk është më problem teknik, por krizë shoqërore.

Industria dhe eksportet janë të nënzhvilluara. Pa fabrika moderne, pa teknologji, pa certifikime ndërkombëtare, Kosova mbetet konsumator, jo prodhues. Deficiti tregtar nuk është vetëm statistikë, është dëshmi e një ekonomie që nuk gjeneron vlerë të shtuar.

Të ngjashme