Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka kujtuar me fjalë prekëse vajzën e tij, Donjetën, në 20-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gucati ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e vajzës, duke kujtuar atë si të bukur, të mençur dhe plot jetë.
“E bukur, e mençur dhe plot jetë, erdhe si engjëll dhe le pas një dashuri të pafundme që nuk e tjetërson asnjë vit që kalon”, ka shkruar Gucati.
Ai ka theksuar se, pavarësisht viteve që kalojnë, kujtimi dhe dashuria për të bijën mbeten të pandryshuara, duke e përshkruar praninë e saj si të gjallë në çdo frymëmarrje, lutje dhe shpresë.
“Hapi yt mund të jetë ndalur, por prania jote jeton me mua në çdo frymëmarrje, në çdo lutje e në çdo shpresë. Dashuria për ty është më e fortë se koha, më e thellë se dhimbja”, ka shkruar ai.
Gucati i ka kushtuar vajzës së tij fjalë të ndjera, duke shprehur dashurinë e përjetshme për të.
“Pusho në dritë, bija ime. Je e do të mbetesh përgjithmonë brenda meje!”, ka shkruar ai.