Gjykata liron Besim Musën nga akuzat për organizim të lojërave të fatit dhe vepra tjera penale

Prishtinë | 26 Sht 2025 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktgjykim lirues ndaj Besim Musës, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për “Organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandim të mallrave” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti, me anëtarët Violeta Namani dhe Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatës Shyti, nuk është provuar se i akuzuari Musa ka kryer veprat penale për të cilat ishte akuzuar nga Prokuroria. Gjykatësi njoftoi gjithashtu se pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohet të veprojë në kontest të rregullt juridiko-civil, dhe pala e pakënaqur ka të drejtën të ankimojë vendimin brenda 30 ditësh pas pranimit të tij në formë të shkruar.

Prezent gjatë shpalljes së aktgjykimit ishte mbrojtësi i Musës, avokati Avni Ibrahimi, ndërsa munguan i akuzuari Musa dhe prokurori nga Prokuroria Speciale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 21 maj 2021, Besim Musa akuzohej se gjatë periudhës 1 tetor 2016 deri më 21 mars 2019, përmes biznesit “Mërkur Automat Klub-Ks” Sh.p.k në Ferizaj, ka organizuar lojëra të fatit pa lejen e organit kompetent, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete. Sipas aktakuzës, ai ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automatëve, duke i dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që lojtarëve të mos iu paguhej 80% e vlerës së pagesave të bëra, dhe ka përdorur dy aparate të dyfishta. Për këtë akuzohej për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” sipas nenit 300 par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Po ashtu, Musa akuzohej se me dijeni ka importuar automate ose programe kompjuterike të lidhura me to nga vende të ndryshme për në Kosovë, pa njoftuar Administratën Tatimore të Kosovës dhe pa poseduar licenca për to, duke u ngarkuar me veprën penale “Kontrabandim i mallrave” sipas nenit 317, par.2 të Kodit Penal.

Gjithashtu, ai akuzohej se për të fshehur ose shmangur pjesërisht apo tërësisht pagesën e tatimit, ka dhënë shënime të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit “Mërkur Automat Klub-Ks”, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës për shumën 113,581.61 euro. Për këtë akuzohej për veprën penale “Shmangie nga tatimi” sipas nenit 313, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Të ngjashme