Në Speciale lexohen pjesë të ditarit të gjeneralit gjerman Reinhardt: Thaçi sillej si një fëmijë kur nuk ia japin lodrën e tij, lodra që dëshiron është Presidenca

Prishtinë | 01 Tet 2025 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

(Përditësuar, ora 16:26)- Gjenerali gjerman, Klaus Reinhardt i cili ishte pjesë e komandës së KFOR-it në Kosovë, në ditarin e tij gjatë 1999-ës kishte thënë se Hashim Thaçi sillej si një fëmijë që nuk iu jepej lodra e tij.

Sipas ditarit që lexoi prokurorja Vega Iodice, gjenerali Reinhardt kishte thënë për Thaçin se lodra që dëshiron është Presidenca e Kosovës dhe udhëheqja politike në ombrellën e Adminstratës së Bernard Kouchner, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përpara kësaj, prokurorja tha se në ditarin e tij gjenerali Reinhardt kishte thënë se në nëntor të 1999-ës, Bernard Kouchner e ka njoftuar se “Thaçi i ka deklaruar luftë atij dhe UNMIK-ut sot”.

Sipas librit, Thaçi kishte thënë se ishte lodhur nga mosefikasiteti dhe se ai e kishte mbështetjen e kryeqyteteve të rëndësishme siç ishte Uashingtoni, si dhe do ta bojkotonte UNMIK-un dhe KFOR-in deri sa ata të zbatonin dëshirat e tij.

Po ashtu, duke iu referuar librit, prokurorja tha se aty thuhet që Reinhardt kishte thënë që duhej të fliste mënjehërë me Thaçin pasi nuk ka kuptim asgjë prej kësaj dhe nuk është i gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin më atë mbi këtë bazë.

Ndërsa, më 16 nëntor 1999, në ditarin e vet, Reinhardt kishte thënë se Thaçi po e bojkoton takimin e Komitetit dhe refuzuimi për bashkëpunim tregon përbuzje për institucionin dhe anëtarët e tjerë të Komitetit të Përkohshëm.

“Sillej si një fëmijë kur nuk i japin pikërisht lodrën e tij dhe lodra që dëshiron është Presidenca e Kosovës dhe udhëheqja politike në ombrellën e Adminstratës së Kouchner”, citohet të ketë thënë Reinhardt për Thaçin.

Dëshmitari James Peter Covey tha se me gjithë admirimin për Reinhardt, ai e ka ekzagjeruar këtë pjesë.

“Më gjithë admirimin që kam për gjeneralin Reinhardt, këtu e ka ekzagjeruar atë çështje. Pika që ngrihet këtu është që sikur nuk do të ishte një përpjekje për të, drejtuesi politik i një procesi diplomatik e social përveçse politik. Ne kemi patur ditë të mira dhe ditë të këqija. Kjo ishte një taktikë. Thaçi u kthye në Këshillin Provizor jo shumë më pas dhe nuk ishte hera e parë që u largua nga ky takim. Nuk ishte në fakt as anëtari i parë dhe as i fundit që u largua nga një rast apo tjetër, kur ishin të frustruar”, tha dëshmitari.

Krahas kësaj, Covey tha se sjelljet e ngjashme si të Thaçit, nuk ishin për t’u çuditur gjatë asaj kohe.

“Unë them që karakterizimi i tij- i një fëmiu që mërzitet, në fakt e ilustron seriozitetin e pjesëmarrejes së tij në këtë Këshill Provizor. Këtë e bën për t’u përkujtuar të gjithë pasuesve të tij se sa serioz ishin në punën e tyre apo kur kërkonin të nxirrnin përfitime nga bashkëpunimi me UNMIKU-t. Këto nuk ishin të çuditshme si zhvillme dhe nuk kanë zgjatur për kohë të gjatë”, tha Covey.

Kurse, në një shënim të datës 8 dhjetor 1999, prokurorja lexoi se thuhej që “Thaçi u kthye në një aktor; është hera e parë që prej 27 tetorit 1999 që shfaqet ai në Komitet. Madje, ai nuk heq as pallton që ka veshur por fillon një bisedë apo sulm agresiv kundër UNMIK-ut dhe KFOR-it. Inati i tij përshakllëzohet me çdo fjali që thotë dhe akuzon si në vijim: në fund të faqes thotë; ai nuk lejon asnjë njeri që ta nderpres, është i zëmëruar dhe në fund të kësaj bisede ofron që ta rifillojmë bashkëpunimin ekskluzivisht sipas kushteve të tij, me fjalë të tjera nën presidencën e tij”.

Duke ndjekur këtë linjë pyetjesh, prokurorja Iodice vazhdoi me leximin, duke thënë se në shënimin e njëjtë, thuhet se Reinhardt tha se Thaçi ka thënë që “nëse nuk do të përmbushet kjo kërkesë, ai do të refuzojë ndonjë bashkëpunim në të ardhmen. Pas kësaj deklarate del me furi nga dhoma si Prima Donna në një komedi”.

Reinhardt kishte vazhduar duke thënë se “është për të qeshur, në mos për të qarë” pasi Thaçi nuk po iu jepte mundësi as të diskutojnë për akuzat që ka ngritur.

Dëshmitari Covey tha se nuk e di që gjenerali Reinhardt ka mbajtur ditar.

James Covey kishte thënë në libër: Sami Lushtaku besohej se ishte përgjegjës jo vetëm për terrorizimin e serbëve, por edhe vrasje të shqiptarëve që bashkëpunuan me ata
(Përditësuar, ora 13:44)- Gjatë dëshmisë në Hagë, dëshmitarit James Peter Covey iu prezantua një pjesë e librit të tij në të cilin kishte thënë se Sami Lushtaku ka pasur pozicion drejtues në UÇK. Ai kishte thënë se besohej që Lushtaku ishte përgjegjës jo vetëm për terrorizimin e serbëve por edhe për vrasje të shqiparëve që besohej se kishin bashkëpunuar me serbët.

“Sami Lushtaku ka pasur pozicion drejtues në UÇK gjatë konfliktit dhe më pas u njoh si Lord lufte virtuale. Sami Lushtaku besohej që ishte personi përgjegjës jo vetëm për të terrorizuar serbët por që ka vrarë edhe shqiptarë që besohej se kishin bashkëpunuar me regjimin serb përpara konfliktit”, lexoi prokurorja Vega Iodice nga libri i dëshmitarit.

Më pas, sipas prokurores, dëshmitari kishte përmendur faktin se si “Policia po synonte ta prangoste Lushtakun por me shumë të ngjarë nuk do të kishte dëshmitarë për atë”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas asaj që pretendohet se ka thënë dëshmitari Covey, është rënë dakord me KFOR-in që të mos procedohej më tej kjo punë se duhej të kishte prova të forta për këtë pretendim dhe një forcë civile- ushtarake dhe policore në zonën ku qëndronte Lushtaku.

“Po, fjalët e mia janë por unë do të doja ta shtjelloja më tej këtë”, tha dëshmitari.

Lushtaku, sipas asaj që thuhet në librin e dëshmitarit, ishte person i rëndësishëm dhe se arrestmi i tij do të kishte krijuar rrëmujë me të cilën duhej të merrej KFOR-i.

“Sami Lushtaku njihej si komandant i Zonës në Drenicë dhe kishte reputacionin e një rrugaçi…vendimi për ta arrestuar atë do të merrej kur të kishte prova të mjaftueshme për të përgatitur akuza dhe për të zgjidhur çështje gjyqësore sa më shpejtë. Pra, nuk do të ishte e saktë të thuhet që vendimi ishte që të mos arrestohet ai. Vendimi ishte që përpara se ta arrestoni- siguroni që i keni të gjitha provat dhe burimet e duhura”, tha ai.

Covey po ashtu deklaroi se Sami Lushtaku kishte shumë mbështetje në zonën e tij.

“Ai ishte shumë popullor dhe kishte shumë mbështetje në zonën e tij dhe e dinim këtë. Rrugaçët janë të njohur dhe kanë mbështetje. Pra, vendimi ishte që mund ta ndaloni atë në qoftë se i keni elementet dhe provat e mjaftueshme për ta zgjidhur sa më shpejtë”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se këtë vendim nuk e ka marrë në konstultim me KFOR-in dhe se Bernard Kouchner nuk ka qenë i përfshirë. Pas kësaj, ishte informuar edhe KFOR-i.

Covey për incidentet: Asnjë prej këtyre aktiviteteve nuk lidhet drejtpërdrejt me Thaçin
(Përditësuar, ora 12:52)- Dëshmitari James Peter Covey pasi u hap seanca gjyqësore e cila ishte në sesion privat, tha se deklaratat e tij lidhur me incidentet që pretendohet se janë kryer nga UÇK-ja, kanë të bëjnë vetëm me vlerësimet e tyre lidhur me rolin që ka pasur Hashim Thaçi.

Dëshmitari tha që sipas mendimit të tij, asnjë prej këtyre aktiviteteve nuk lidhen drejtpërdrejt me Thaçin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Deklarata ime ka të bëjë me vlerësimet tona me rolin që ka luajtur Thaçi. Rol të hamendësuar apo real lidhur me këto incidente. Deklarata ime tregon kryesisht gjykimin tonë lidhur me autoritetin që ka pasur ai për individë të cilët që është pohuar apo jo që kanë kryer këto krime. Sipas mendimit tim, asnjë prej këtyre aktiviteteve nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me zotin Thaçi, apo asnjë prej tyre nuk kundërshton mënyrën se përse ne kemi arritur në gjykimin që kemi arritur”, tha Covey.

Përveç kësaj, dëshmitari Covey iu drejtua prokurores Vega Iodice duke i thënë se si duket ajo nuk e ka sqaruar këtë aspekt ende pasi po i përsërit sërish raportet lidhur me incidente.

“Unë nuk mendoj që ju e keni sqaruar këtë çështje duke e përsëritur raporte lidhur me këto incidente gjatë gjithë kohës”, tha dëshmitari Covey.

Ndërsa, prokurorja i tha dëshmitarit që sa herë do i kërkohet të komentojë një dokument, do të ndërlidhet me pjesë të deklaratës së tij apo provave.

Prokurorja i tha atij se kjo nuk ka të bëjë në përgjithësi vetëm me deklaratën e tij, por ka të bëjë edhe me disa pohime të veçanta në deklaratën e tij me qëllim rifreskimi të kujtesës.

“Ju po e nxirrni të gjithë deklaratën time jashtë konteksti”, tha dëshmitari.

Covey thotë se nuk i ka dokumentuar krimet që pretendohet se janë kryer nga anëtarë të UÇK-së
(Përditësuar, ora 12:24)- Dëshmitari James Peter Covey deklaroi se krimet që pretendoheshin se janë kryer nga UÇK-ja nuk i ka dokumentuar vetë. Megjithatë, ai tha se ka qenë mjaft i përhapur raportimi për ngjarje të tilla kriminale.

Kjo deklaratë e dëshmitarit erdhi pasi iu prezantua një libër i tij, në të cilin, siç lexoi prokurorja Vega Iodice, thuhej se “kur trupat e NATO-s filluan që të arrijnë në fund të qershorit 1999, rreth 100 civilë vriteshin çdo javë- kryesisht serbë. UÇK-ja i quante serbët që ishin të përfshirë në luftë dhe kolaboracionistë që ishin në mes grupeve etnike të tjera; veçanërisht romët dhe turqit, por edhe shqiptarët etnik që konsideroheshin thjesht si bashkëpunëtorë me pushtuesin serb”.

Sipas prokurores, në këtë libër thuhet se ekstremistët e UÇK-së përdornin dhunë dhe terror për të dëbuar serbët jashtë Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari Covey pohoi se pjesa e parë duhet t’i referohet pjesës së dytë, ku kjo situatë ishte vetëm nga ekstremistët e UÇK-së.

Më pas, atij iu prezantua një dokument i Departamentit Amerikan të Shtetit për Malin e Zi dhe Serbinë lidhur me të drejtat e njeriut. Sipas prokurores, ky dokument është i vitit 1998 dhe është përgatitur në janar të 1999-ës.

Ky dokument, sipas saj, thotë se elementë të UÇK-së kanë kryer vrasje, kanë qenë përgjegjës për zhdukje, kanë rrëmbyer dhe mbajtur në ndalim policë serbë si dhe civilë serbë dhe shqiptarë që dyshoheshin që janë bashkëpunëtorë të Serbisë. Sipas dokumentit, në raste të izoluara ata kanë gjykuar pa proces ligjor të duhur. Si dhe, thuhet që ka pasur raporte për raste torturash.

Dëshmitari tha se këtë dokument nuk e ka parë kurrë.

“Këtë dokument nuk e kam parë kurrë. Ato që përshkruhen në këtë paragraf ishin dhe po e vë në thonjëza “diçka që e dinin të gjithë”. Por, nuk kam qenë i përfshirë në procesin e dokumentimit të rasteve konkrete dhe individuale”, tha ai.

Më pas, i njëjti raport sipas prokurores flet edhe për ndalimin që UÇK-ja pretendohet se ua ka bërë 13 anëtarëve të delegacionit të partive shqiptare në Qirez për dy ditë.

Sipas prokurores Iodice, raportohet se këta persona janë torturuar gjatë kohës sa ka qenë të ndaluar.

“Siç e thash, ky lloj raportimi ka qenë i përhapur. Por, po e përsëris, jam i shqetësuar nëse kjo ka ndonjë lidhje me përfundimet që kam shprehur unë në deklaratë”, u shpreh Covey.

“Nuk mendoj që është diçka për të cilën duhet të shqetësoheni. Vetëm jepni përgjigje të vërteta dhe të sakta”, tha prokurorja.

Më kërkesë të prokurores, pasi nuk pati kundërshtime, ky dokument u pranua në prova materiale.

Një pjesë e seancës kaloi në sesion privat për publikun, pasi do të trajtohej informacioni i një dokumenti konfidencial.

James Covey: Nuk e kam lexuar aktakuzën, por besoj që jam këtu për të folur për përgjegjësinë
(Përditësuar, ora 11:56)- Dëshmitari James Peter Covey deklaroi në Hagë se nuk e ka lexuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për të cilin rast është ftuar si dëshmitar i mbrojtjes.

Fillimisht, prokurorja Vega Iodice i tha dëshmitarit që këtë linjë pyetjesh do ta fokusojë te krimet që Covey ka evidentuar gjatë kohës sa ka qenë në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas prokurores, në deklarata të ndryshme, dëshmitari kishte thënë se krimet ishin si rezultat i mungesës së ligjit dhe hakmarrjes. Si rrjedhojë, ajo pyeti dëshmitarin Covey se a e ka lexuar aktakuzën në këtë çështje.

“Nuk e kam lexuar”, u përgjigj dëshmitari James Peter Covey, i cili njihet edhe si Jock Covey.

Prokurorja pyeti dëshmitarin se kjo i bie që ai nuk e di se cilat krime ishin pjesë e akuzave në këtë çështje gjyqësore.

“E saktë! Por, besoj që jam këtu për të folur për përgjegjësinë për ato krime”, tha Covey.

Dëshmitari- Prokurorisë: S’po ndihem mirë mbi bazën se si po ndërtohen pyetjet
(Përditësuar, ora 11:39)- Dëshmitari i mbrojtjes, James Peter Covey ka thënë para Gjykatës Speciale të mërkurën se nuk po ndihet rehat me një linjë të pyetjeve të Prokurorisë lidhur me dekretin e emërimit të Agim Çekut.

“Nuk jam në dijeni të një deklarate të tilllë. Por, përsëri po e them që unë nuk jam rehat dhe nuk ndihem mirë për bazën se si po ndërtohen pyetjet që mund të bëhen. Duket sikur prokurori po përpiqet që të vërtetojë si fakt gjëra që në një mënyrë mbështesin vlerësime- gjykime që janë shprehur në një deklaratë në libër. Mendoj që kjo është keqkuptim i rolit të diplomatit dhe se si ne arrijmë në vlerësimet që japim”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përpara kësaj, dëshmitari u pyet se a e ka parë dekretin për emërimin e Çekut si Komandant i Përgjithshëm. Si rrjedhojë, dëshmitari Covey bëri komentin që u ndalua nga trupi gjykues.

“Nuk jam i sigurt që pajtohem me arysen dhe bazën për këtë mënyrë të paraqitjes së pyetjeve”, tha Covey.

Megjithatë, dëshmitari tha se nuk beson që e ka parë këtë dekret.

“Nuk besoj”, u përgjigj shkurt ai, duke shtuar se nuk beson që e ka ditur se kush e ka nxjerrë atë dekret.

Covey për Thaçin: Njihej si drejtues politik
(Përditësuar, ora 11:31)- Dëshmitari James Peter Covey, i cili ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, deklaroi të mërkurën në Hagë se Hashim Thaçi është njohur si drejtues politik.

Këtë deklaratë, Covey e dha kur iu prezantua një video, e cila tregonte për prezencën e Thaçit në Rahovec, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Njihej si drejtues politik”, tha Covey për Thaçin.

Fillimisht, dëshmitarit iu shfaq një video në të cilën një zë dëgjohej duke thënë se “Më mijëra janë mbledhur në qytezën e Rahovecit për të përshëndetur Thaçin”.

Po ashtu, në video thuhej se “Thaçi ishte drejtuesi politik i UÇK-së dhe aktualisht shqiptari më i njohur i Kosovës”. Gjithashtu thuhej se në Rahovec kur Thaçi kishte shkuar ishin rreth 300 ushtarë me uniforma të UÇK-së dhe aty u përkujtuan të rënët e UÇK-së.

Në video, thuhej gjithashtu se Thaçi ftonte për tolerancë ndëretnike, por turma nuk ishte e gatshme ta dëgjonte thirrjen.

Sipas prokurores Vega Iodice, kjo ka ndodhur në korrik të 1999-ës por dëshmitari pyeti se a ka ndodhur më 17 korrik, gjë e cila iu pohua. Covey tha se kjo ka ndodhur dy ditë pasi kishte shkuar ai në Kosovë.

“Nuk më kujtohet mirë”, shtoi ai.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij u pyet se ka dëgjuar ndonjëherë për betejën e Llapushnikut. Lidhur me këtë, ai tha se nuk i kujtohet si ngjarje.

“Nuk më kujtohet mirë”, u përgjigj edhe kur u pyet se a ka dijeni për paradën e UÇK-së që është organizuar në Prishtinë më 18 shtator 1999.

Më pas, dëshmitarit Covey iu tregua një video lidhur me këtë paradë. Video ishte në gjuhën gjermane. Ai evidentoi Thaçin dhe Agim Çekun në videon që iu prezantua nga prokurorja.

“Më duket se zoti Thaçi. Më duket se pranë tij është edhe gjeneral Çeku”, tha Covey.

Covey: S’e dija rolin e Thaçit në Rambuje, s’e di as kush e themeloi UÇK-në
(Përditësuar, ora 10:58)- Dëshmitari James Peter Covey gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të mërkurën tha se nuk e di se kush ishin themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se nuk ka dijeni se cili ishte roli i Hashim Thaçit gjatë Marrëveshjes së Rambujesë dhe se në çfarë cilësie ishte ftuar.

“Nga historia e di se në përfundim të Rambujesë, ai (Thaçi) ishte caktuar si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme. Unë siç e thash isha i përfshirë në Universitet dhe nuk e di se në çfarë cilësie ishte ftuar apo cili ka qenë roli i tij gjatë diskutimeve të mbajtura në Rambuje”, tha Covey, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Covey deklaroi se e ka ditur se Thaçi ishte ai që ka nënshkruar Marrëveshjen e Rambujese. Përveç kësaj, Covey mohoi se ka dijeni se kush ishin themeluesit e UÇK-së.

“Nuk mund të them që kam dijeni”, tha dëshmitari kur u pyet se a e dinte për rolin e LPK-së për formimin e UÇK-së.

Dëshmitari tha se ka pasur dijeni për sulmin ndaj familjes Jashari. Ndërkaq, mohoi të ketë dijeni për ushtarët që iu bashkuan UÇK-së në pranverën dhe verën e vitit 1998.

Ai tha se nuk ka dëgjuar edhe për marrjen e minierës në Bardh të Madh në UÇK-ja dhe nuk e di nëse Thaçi ka qenë ndonjëherë atje.

I pyetur lidhur me “marrjen e Rahovecit nga UÇK-ja”, Covey tha se mund të ketë dëgjuar.

“Edhe mund ta kem dëgjuar, por nuk mund të jap hollësi lidhur me këtë”, u shpreh dëshmitari

James Covey mohon se ka dijeni për rolin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në UÇK
(Përditësuar, ora 10:47)- Dëshmitari James Peter Covey mohoi në Hagë se ka dijeni për për rolin që kanë pasur Azem Syla dhe Sokol Bashota në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë përgjigje, dëshmitari e dha duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Vega Iodice, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se nuk e ka ditur se kur është shfaqur për herë të parë UÇK-ja. Ngjahsëm ai u përgjigj edhe kur u pyet për rregulloret e UÇK-së.

“Nuk besoj”, u përgjigj dëshmitari kur u pyet se a ka dijeni për ndonjë urdhër të UÇK-së.

Veç kësaj, Covey mohoi se ka dijeni për ndonjë shkëmbim të të burgosurve në janar të vitit 1999.

“Jo! Nuk kam dijeni. Në atë kohë nuk kam qenë i përfshirë në këtë. Kam punuar në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare”, tha ndër tjerash dëshmitari duke treguar se ka punuar në një libër që do shfrytëzohej për eficencë të armëve.

“Nuk isha i përqendruar në ngjarjet në Kosovë. Nuk i kam ndjekur siç i kam ndjekur kur kam punuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kështu që jo është përgjigja se nuk kam dijeni”, tha dëshmitari.

Avokati i Thaçit: Jemi duke pritur autorizim edhe për një dëshmitar
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, avokati Luka Mishetiq që përfaqëson Thaçin, tha se kanë marrë autorizimin për dëshmitarët 1DW008 dhe 1DW010. Ai tha se presin që të nxjerrin deklaratat e tyre për palët gjatë kësaj jave ose edhe nesër.

Mishetiq theksoi se iu ka mbetur edhe një dëshmitar për të cilin nevojitet marrja e autorizimit e që ky dëshmitar është 1DW007. Tha se të gjithë këta dëshmitarë synojnë që t’i thërrasin për t’u paraqitur në sallën e gjyqit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Besojmë që po, por ka disa faktorë që ndërhyjnë. Kemi parashtruar një mocion i cili nuk është vendosur akoma lidhur me një dëshmitar, pra nëse ai pranon ose jo dhe kjo hyn tek planifikimi i gjërat. Mandej, kemi një dëshmitar të dytë që diskutuam dje… do ju njoftojmë për të gjithë dëshmitarët që mbeten dhe që ne synojmë t’i përfundojmë brenda planit të paraparë”, tha ai.

Rodney Dixon që përfaqëson Veselin tha që vlerësimet e tyre lidhur me pyetjet që kanë planifikuar për dëshmitarët që do thirren nga Thaçi, mbeten të njëjta. Ndërsa, nëse kanë njoftim për dëshmitarë të tjerë, atëherë vlerësimet mund të ndryshojnë.

Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit, për dëshmitarët e vet tha se janë duke bërë rivlerësime.

Kurse kryetari i turpit gjykues, Charles Smith III tha se palët duhet të përpiqen që të jenë më efikas në mënyrë që të arrihet që çështja e mbrojtjes të mbyllet më 14 nëntor ashtu siç është planifikuar.

Ndryshe, pas këtij diskutimi, në sallën e gjyqit erdhi dëshmitari James Peter Covey i cili filloi dje dëshminë. Covey sot është duke e marrë në pyetje nga prokurorja Vega Iodice.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme