Ekonomisti Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar se pse nuk ka rritje ekonomike, siç ka shkruar ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati i cili iu referua statistikave të ASK-së.
Gërxhaliu si shembull për të treguar më qartë se cila është situata ekonomike në vend, e mori atë se çka ka mujtë qytetari me ble me 100 euro para një viti. Kështu ai thotë se rritja ekonomike e qeverisë në detyrë është e fryrë e që realitetit është më i rëndë.
“E vërtetë është shqetësuese të dëgjohen deklarata të politikanëve aktual për rritje ekonomike në një kohë kur Kosova ka sanksione apo masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian ku Kosova e ndërprenë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çdo ditë në tapet duke u sulmuar për shkelje të kushtetutshmërisë dhe aventura politike që po e dëmtojnë Kosovën se sa që po e ndihmojnë. Kemi vendosur që mos të komentojmë deklarata të ministrit të Financave, Hekuran Murati sepse janë aq të fryera, aq pa argumente dhe fakte që Agjencia e Statistikave është nën kontrollin e qeverisë aktuale apo në kabinetin e qeverisë, të jep të kuptosh që aty ka shumë ma tepër devijim të dhënave se sa që ka realitet”, ka deklaruar Gërxhaliu për EO.
Sipas tij, në një kohë kur Kosova përballet me sanksione nga BE-ja, stagnimi të investimeve të huaja, ikje të popullatës dhe inflacion të lartë, është paradoksale të flitet për rritje.
“T’i thuash dikujt që ke rritje ekonomike 4.5% në një kohë kur e ke inflacionin po aq. Po të kishim pasur një rritje ekonomike 9% dhe inflacionin 4.5% ndoshta do të kishte pasur kuptim të thuhet se kemi rritje ekonomike por në Kosovë kur është vendi i parë në botë për tkulje demografike, në vendin e parë për ikje apo mos ekzistim të investorit te huaj, largim të popullatës, largim të bizneseve, largim të kapitalit deri në vendet e rajonit dhe më gjerë, me të vërtetë është një paradoks i kohës që e dëshmon që qasja e institucioneve aktuale politike nuk është në koherencë me realitetin. Ne kemi inflacion që zyrtarisht thuhet se është 4.5%, por është në realitet dyshifror dhe kjo duhet të jetë brenga e kryeministrit, kemi çmime që janë më të larta se në Evropë dhe nuk ka masa për t’i ulur dhe vet fakti që kemi rritje enorme të importit besoj që për vitin 2025 do të jetë afër 7 miliardë euro dhe kemi tkurrje të eksporteve, çka nënkupton që Kosova eksporton para të gatshme dhe të thuhet që kemi rritje ekonomike kjo e dëshmon sa e ndytë është politika, sa e degradon aspektin profesional të individit politika dhe sa tentohet që në interes të pushtetit të manipulohet me të dhëna dhe të promovohet ky popullizëm steril. Qytetari e din realitetin, atë që e ka ble me 100 euro para tri viteve sot i kushton 200 euro, atë që e ka ble vitin e kaluar me 100 euro sot i kushton edhe më tepër. Prandaj këta janë parametrat që duhet t’i ketë parasysh qeveria në veçanti ministri i Financave dhe të del me propozime se si të zbuten këto efekte negative ekonomike që dominojnë”, shtoi ai.
Ai shtoi se çmimet në Kosovë janë ma të larta se në Evropë dhe qytetarët çdo ditë përballen me përkeqësim të standardit të jetesës.
“Nuk është e lehtë të jetohet në Kosovë me këto paga dhe me këtë nivel të trendëve ekonomike, Kosova është shndërruar në një shtet të varfër dhe të pasur por mos të mendohet se të gjithë janë të pasur, nëse shohim një kategori 2,3 apo 5% të popullatës. Inflacioni e ka një karakteristikë shqetësuese që është një metastazë për tu goditur shtresat e ulëta dhe këtë më së miri po e përjeton qytetari i Kosovës ku çdo ditë ballafaqohet me ngritjen e çmimeve ndërsa nga institucionet nuk kemi asnjë aktivitet për të ndikuar që të mbrohet interesi i qytetarëve. Vendet e rajonit kanë marr hapa pozitiv kanë bërë lehtësira. Është koha për veprim nuk jetohet vetëm nga politika, qytetarët janë të lodhur në qoftë se vazhdon ky trend ku kemi në të njëjtën kohë ngritje të çmimit dhe në të njëjtën kohë inflacion të importuar dhe inlfacion vendor, është një situatë shqetësuese që edhe përkundër që janë politikanë dhe nuk mendojnë për popull duhet t’i preken në ndërgjegje kur jeta e qytetarëve është duke u neglizhuar dhe po dëshmohet një sadizëm politikë”, theksoi ekonomisti.
Murati shkroi një ditë më parë se “Shifrat dhe faktet demantojnë propagandën. Për tremujorin e dytë të këtij viti, ekonomia e Kosovës sipas ASK-së ka shënuar rritje prej 4.58%. Për të njëjtën periudhë, mesatarja e rritjes ekonomike në vendet e rajonit të ballkanit perëndimor ishte 3.13%.”.