Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi ka shprehur shqetësimin në lidhje me heshtjen karshi deklaratave që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i bëri muaj më parë në lidhje me gjyqtarin Radomir Llaban për rrezikun që paraqet ai për institucionet e vendit.
Kajtazi ka thënë se deklaratë se personi i rrezikshëm ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, në një shtet normal do të ishte alarm.
“Kanë kaluar më shumë se një muaj që kur presidentja e vendit deklaroi publikisht se në Gjykatën Kushtetuese ndodhet një person që rrezikon sigurinë nacionale (Aludimi ishte spiunazh ne favor te Serbise, shtetit armik te Kosoves). Një deklaratë e tillë, në çdo shtet normal, do të duhej të ngjallte alarm institucional dhe të prodhonte veprime të menjëhershme hetimore e politike. Mirëpo, asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Situata mbetet e pandryshuar, gjë që do të thotë se, nëse deklarata e presidentes është e vërtetë, atëherë për më shumë se një muaj siguria nacionale e vendit ka qenë dhe vazhdon të jetë e rrezikuar. Në anën tjetër, fakti që nuk është ndërmarrë asnjë veprim, hap edhe një dileme tjetër: se presidentja ka gënjyer (mos me thene ka rrejt). Dhe një popull që ka për presidente një gënjeshtare, e ka të zymtë, deshpruese dhe te pashpresë të ardhmen e vet”, ka shkruar Kajtazi.
Kajtazi shqetësim e sheh edhe heshtjen e partive politike.
“Edhe më shqetësuese është heshtja e partive politike. Mosreagimi i tyre ndaj një deklarate kaq të rëndë tregon ose mungesë të kapaciteteve intelektuale e profesionale për të kuptuar peshën e skandalit, ose një indiferencë të qëllimshme, që e shndërron gënjeshtrën në normë e në virtyt politik. Në të dy rastet, pasoja është e njëjtë: rënia e besimit në institucionet e shtetit dhe normalizimi i mashtrimit – rrenës si pjesë e kulturës politike”, përfundon shkrimi i Kajtazit.

Kujtojmë se 5 gusht të këtij viti (2025) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka tërhequr një kërkesë që e kishte drejtuar në korrik Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik, afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.
Arsyeja e tërheqejes ajo e potencon të kishte qenë gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban e për cka kishte shtuar se caktimi i Llabanit si raportues në shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.
“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare”, pati deklaruar Osmani në konferencën që kishte thirrur pasditë për media.
Po ashtu e njëjta deklaroi se sipas informatave “të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
POR KUSH ËSHTË RADOMIR LLABAN?
Radomir Llaban është i njohur për publikun në Kosovë që nga viti 2018, kur presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, refuzoi fillimisht t’ia dorëzonte dekretin për emërim derisa të verifikohej nga organet e drejtësisë. Disa muaj më vonë, megjithatë, Thaçi e dekretoi atë.
Llaban është person i kërkuar në Serbi, pasi ka shmangur vuajtjen e një dënimi prej gjashtë vjetësh burgim, të shqiptuar si pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore” – një grup i përbërë nga persona të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.
Emri i tij ndodhet në listën e të kërkuarve në Serbi që nga viti 2012 dhe në atë të Interpolit që nga viti 2014.
Por, presidentja Osmani tani thotë se ka informacione që gjyqtari Llaban “paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Në një konferencë për media më 5 gusht, Osmani deklaroi se Gjykata Kushtetuese është njoftuar për “veprimtarinë e rrezikshme” të Llabanit në vitet 2018, 2021 dhe 2024.
Ajo nuk pranoi të japë detaje se në ç’mënyrë Llaban paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare, duke theksuar se ky është një vlerësim i besuar institucioneve të sigurisë.