Arrestohet Fatmir Sheholli, dyshohet për spiunazh

Prishtinë | 09 Tet 2025 | 10:05 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në dhe prokurorinë kanë arrestuar sot Fatmir Shehollin.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se ai u arrestua nën dyshimin për përfshirje në spiunazh.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”, ka shkruar Sveçla.

Ai më tej tha se “Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”.

Sheholli ka qenë i ftuar herë pas here në televizionet e Kosovës në rolin e analistit politik. Ai është drejtues i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë. Ishte ftuar për dëshmi edhe nga Gjykata Speciale.

Në paraqitjet publike, ai ka pohuar se ka punuar në Shërbimin e Sigurimit të Serbisë (UDB) dhe pas luftës ka qenë i angazhuar në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK).

Të ngjashme