Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Deçanit, Jeton Mushkolaj, ka publikuar një mesazh falënderues për qytetarët pas një takimi me ta, duke e cilësuar atë si një moment të veçantë dhe të paharrueshëm në rrugëtimin e tij politik.
Mushkolaj thekson se takimi me qytetarët nuk ishte thjesht një ngjarje politike apo mbledhje e zakonshme, por një përvojë e thellë personale.
Ai shton se përkrahja që merr nga qytetarët është ajo që e motivon të ecë përpara çdo ditë, duke theksuar lidhjen e ngushtë që ndjen me secilin prej tyre.
Duke folur për misionin e tij politik, Mushkolaj shpreh mirënjohjen për besimin e qytetarëve, të cilin ai e konsideron si një përgjegjësi të madhe.
“Deçani im, faleminderit nga zemra!
Sot pata nderin dhe privilegjin të jem mes jush – qytetarëve të ndershëm e krenarë të Deçanit. Takimi i sotëm nuk ishte thjesht një ngjarje politike apo një mbledhje e zakonshme. Për mua, ishte një moment i shenjtë. Një dëshmi e gjallë e besimit që më jepni, e mbështetjes që më mbush me fuqi, dhe e përgjegjësisë që e ndjej thellë në shpirt.
Kur ju shikoj në sy, e kuptoj se nuk jam vetëm. Kur ndjej duart tuaja që më shtrëngojnë me zemër, më kujtohet pse kam nisur këtë rrugëtim. Mbështetja juaj nuk është vetëm përkrahje – ajo është forca ime, është frymëzimi im, është arsyeja pse çdo ditë zgjohem me vendosmërinë për të mos u ndalur kurrë.
Ju më jepni më shumë sesa një votë. Më jepni besim. Më jepni zemër. Dhe unë, nga sot e gjithmonë, e di se jam dhe do të mbetem në shërbim të Deçanit, me përkushtim të plotë dhe me ndershmëri të palëkundur.
Kjo mbështetje për mua është e shenjtë. Nuk ka çmim, nuk ka fjalë që mund ta përshkruajë plotësisht atë që ndjej. Por një gjë është e sigurt: me ju pranë, unë nuk kam asnjë dyshim – do të ecim përpara, do të fitojmë bashkë dhe do ta nderojmë Deçanin tonë të dashur, siç e meriton!
Faleminderit, Deçani im!”, ka shkruar ai.