Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka planifikuar t’i paguajë punëtorët teknikë të shkollave që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12.10.2025.
Lajmin e kanë konfirmuar nga KQZ, por të njëjtit nuk e kanë bërë të ditur arsyetimin e këtij vendimi.
Ata madje e konfirmuan se herave të kaluara KQZ i ka paguar punëtorët teknikë të shkollave për angazhimin e tyre në ditën e zgjedhjeve.
KALLXO.com ka pranuar një raportim në Lipjan, në të cilin thuhej se KQZ i ka angazhuar për ditën e zgjedhjeve vetëm drejtorët e shkollave, si menaxherë të qendrave të votimit. E qendrat e votimit në shumicën e komunave janë në shkolla.Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në Lipjan tha se kanë pranuar një shkresë nga KQZ më 10.10.2025, në të cilën sipas tij, KQZ ka kërkuar zgjidhje nga komunat për pagesën e punëtorëve teknikë që angazhohen në ditën e zgjedhjeve.
Sipas Hasanit, herave të kaluara në qendrat e votimit në shkolla përveç drejtorit të shkollës, të paktën ka qenë i angazhuar edhe një punëtor teknik për pastrim dhe ndezjen e ngrohjes qendrore.
“Na si Komunë, nuk mund ta lëmë me dështu procesin [zgjedhor]. Ne i kemi angazhuar puntorët teknikë edhe duhet m’i pagu diqysh… Ka shkolla që edhe ata koxha gjatë iu duhet me punu, duhet me ardhë në ora 04:00 me ndezë nxemjen [e shkollës], megjithatë mëngjesi është ftohtë edhe duhet me qëndru deri vonë, së paku dy ndërrime punë, 15 orë” – tha Hasani për KALLXO.com më 11.10.2025.Edhe Afrim Llabjani, drejtori i Arsimit në Ferizaj tha se në orët e vona të mesditës, më 10.10.2025, e kanë pranuar njoftimin e njëjtë nga KQZ.
Për Llabjanin kjo situatë nuk do të jetë e lehtë dhe tha se u ka sjellur telashe.“KQZ-ja i ka pagu deri këto zgjedhje, këto zgjedhje e kanë lëshu këto qasje dhe me të thanë të drejtën na kanë sjellë pak telashe në këtë drejtim, pak kokëçarje… Kam qenë në kontakt me KKZ-në [Komisionin Komunal të Zgjedhjeve] këtu në Ferizaj, po as ata KKZ-ja nuk e ka ditë se si do të ndodhë” – tha Llabjani.
Llabjani tha se e kanë përcjellur qarkoren që ua ka dërguar KQZ-ja te të gjithë drejtorët e shkollave në Ferizaj.“Kemi kërkuar nga drejtorët e shkollave që së paku nga një punëtor teknik të jetë në vendin e punës gjatë tërë ditës, nëse munden me punu me ndërrime. Përndryshe, ne ua kemi bo me dije që qendrat e votimit duhet të jenë të hapura ashtu siç kërkohet” – shtoi ai më 11.10.2025.
Për pagesën e punëtorëve teknikë që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve në Ferizaj, Llabjani tha se “nuk ka me qenë e lehtë m’u ba kjo pagesë, sinqerisht po them. Nuk kemi asnjë informacion nga shkollat, apo një shqetësim të drejtorëve të shkollave që dikush ka refuzu mos me dalë [në ditën e zgjedhjeve].
”Të dielën, më 12.10.2025 do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë. Nga ora 07:00 qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë për kryetarë të komunave dhe për përfaqësuesit e tyre në kuvendet komunale.
Në garë për nivelin lokal janë 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, të gjitha të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,626, prej të cilëve 206 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5,420 për anëtarë të kuvendeve komunale.
Lëvizja Vetëvendosje ka numrin 105; 191 Partia Demokratike e Kosovës; 113 Lidhja Demokratike e Kosovës; 174 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 186 NISMA Socialdemokrate; 170 Lista Serbe; 103 Alternativa; 118 Partia Guxo; 149 Partia Socialdemokrate.