Policia e Kosovës bëri të ditur që në aspektin e sigurisë procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze, që do të kishin penguar apo cenuar procesin zgjedhor.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Plani operacional i Policisë së Kosovës, i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili
kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para,
gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve u realizua me sukses në tërë territorin e Republikës së
Kosovës.
Angazhimi dhe zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar
në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa incidente madhore që do të
kishin penguar apo cenuar procesin zgjedhor, andaj vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi
zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze.
Siç është bërë e ditur përmes njoftimeve zyrtare, një ndër qëllimet e planit policor, ka qenë inicimi
dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave
procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e
kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka
iniciuar dy (2) raste “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, njëri në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu dhe
tjetri në Kllokot – DRP Gjilan, përderisa rastet mbi dyshimet për “fotografim të votës”, me
autorizim të prokurorëve kompetent kanë mbetur si ‘shënim zyrtar’ njëmbëdhjetë (11)
raste/informata.
Lidhur me rastet personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të
prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa sa i përket rastit të gjuajtjes me armë zjarri në Komoran, ku ishte dëmtuar një veturë dhe
ishin shoqëruar për intervistim dy persona, vlen të potencohet se ky rast nuk ndërlidhet me
procesin zgjedhor. PK-ja me autorizim të prokurorisë kompetente është duke kryer kontrolle si
dhe duke vazhduar me hetime intensive për rastin, përderisa personat e shoqëruar pas
intervistimit janë liruar.
Po ashtu, janë trajtuar rreth dhjetë (10), informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me
procesin zgjedhor, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent është
vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë
evidentuar vetëm si informacion.
Policia e Kosovës, vlerëson se plani policor është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit
ndërinstitucional, falë punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe kulturës së lartë të
treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj falënderon të gjitha institucionet, qytetarët
dhe mediat për bashkëpunim e treguar më PK-në.