E gjithë Evropa refuzon energjinë bërthamore, Serbia negocion ndërtimin e një centrali të ri bërthamor me Rusinë

Prishtinë | 14 Tet 2025 | 13:57 | Nga Ekonomia Online


Ndërsa shumica e vendeve evropiane po distancohen nga Rusia dhe po vendosin sanksione ndaj kompanive ruse për shkak të agresionit të vazhdueshëm dhe tensioneve gjeopolitike, Serbia po ndjek një drejtim të kundërt—duke hapur dyert për bashkëpunim me korporata shtetërore ruse, përfshirë edhe ato që janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

Ajo po shqyrton ndërtimin e një centrali bërthamor me mbështetjen e Rusisë.

Marija Deuriq, drejtoreshë e zyrës përfaqësuese të “Rosatom” në Serbi, në një intervistë për gazetën Politika, deklaroi se korporata shtetërore ruse është e gatshme të bashkëpunojë me Serbinë në mënyrë strategjike dhe afatgjatë në zhvillimin e sektorit energjetik.

Ajo theksoi se pas takimit të presidentit Aleksandar Vuçiq me presidentin Vladimir Putin, është arritur një mirëkuptim për bashkëpunim në ndërtimin e një centrali bërthamor në Serbi.

Deuriq tha se synimi është të ndërtohet një projekt “teknikisht i avancuar dhe ekonomikisht i qëndrueshëm”.

Vendet si Gjermania, Austria dhe Luksemburgu janë ndër më zërat më të fuqishëm kundër përfshirjes së energjisë bërthamore në të ardhmen energjetike të Evropës. Gjermania, e cila mbylli të gjitha centralet e saj bërthamore në vitin 2023, e konsideron këtë formë të energjisë si “të rrezikshme” dhe me probleme të pazgjidhura, si menaxhimi i mbetjeve radioaktive. Ministri gjerman i ekonomisë, Robert Habeck, ka deklaruar më herët se “bërthamorja nuk është as e qëndrueshme, as e pastër”.

Austria, nga ana tjetër, ka shkuar edhe më larg – ka sfiduar vendimet e Komisionit Evropian për përfshirjen e energjisë bërthamore në taksonominë e gjelbër të BE-së në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së. Ministrja austriake për klimën, Leonore Geëessler, ka paralajmëruar se kjo politikë “rrezikon të minojë besimin publik në agjendën e gjelbër evropiane”.

Edhe Luksemburgu dhe Danimarka kanë shprehur rezerva të forta, duke theksuar se investimet duhet të fokusohen në burime të ripërtëritshme si era, dielli dhe energjia ujore, të cilat nuk paraqesin rreziqe afatgjata për mjedisin dhe shëndetin publik.

Përkundër kësaj, Serbia po e sheh energjinë bërthamore si mundësi për të forcuar sigurinë energjetike  Kjo do ta bënte praktikisht Serbinë të varur nga furnizimet dhe teknologjia ruse, duke i hequr Beogradit kontrollin mbi sovranitetin e vet energjetik.

E bashkëpunimi për energji bërthamore, mund të mos jetë i vetmi.

Gjatë takimit me Putinin në fillim të shtatorit në Pekin, Vuçiq i bëri thirrje kompanisë “Rosatom” që të përfshihet edhe në projekte infrastrukturore në Serbi.

Disa vite më parë, Serbia dhe korporata shtetërore ruse “Rosatom” nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e një Qendre për Teknologji Bërthamore si dhe një marrëveshje për krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët që do ta realizojë këtë projekt në territorin e Serbisë.

Në janar të vitit 2025, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione kundër drejtuesve të “Rosatom”, përfshirë edhe drejtorin e përgjithshëm Aleksej Likhachev, si dhe anëtarë të tjerë të bordit drejtues.

Të ngjashme