Ish-komandanti i UÇK-së, njëherit edhe kreytari i BDI-së në Maqedoninë e veriut, Aliu Ahmeti një ditë pas protestës së madhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK’së që po mbahen në Hagë, ka publikuar një fotografi.
Ka shkruar shkurt duke thënë, “Bashkë për çlirimtarët, bashkë për krenari”.
Ahmeti në protestën gjithëkombëtare në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë pati edhe fjalë rasti, ku mes tjerash tha se UÇK ishte partnere e NATO-s, Amerikës dhe Evropës. Po ashtu ai ka dhënë një paralajmërim një protestë në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi e Rexhe Selimit mund të mbahet edhe në Shkup.
“Sot të gjithë jemi dëshmitarë se aktakuza nuk ka të bëjë me trafikim organesh, por është një riciklim akuzash ndaj Ramushit, Fatmirit e të tjerëve. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare për luftë dhe asnjëherë nuk ka shkelur ligjet e luftës. Kjo u dëshmua nga të gjitha gjykimet e deritashme, edhe nga dëshmitë amerikane, britanike në Hagë. Gjykimi shfaqi botërisht që UÇK ishte partner i NATO-s, Amerikës dhe Evropës. Sot jemi bashkë në Tiranë, Prishtina e Shkupi dhe kështu qofshim përherë. Nga sheshi ‘Skënderbej’ në Tiranë dhe nesër nga sheshi në Shkup po ngremë zërin për drejtësi, për pragun e shtëpisë, për liri dhe demokraci”.