Paraqitjen e Kurtit, Haradinaj e sheh si shfajësim për gjendjen aktuale të Kosovës

Prishtinë | 26 Tet 2025 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj komentoi paraqitjen e mandatarit Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë së re, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj thotë se Kurti në njëfarë mënyrë u shfajësua për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova.

“Ne sot kemi ardhë të kryejmë detyrën tonë, të deputetit për çka jemi kritiku gjatë këtyre muajve nga të gjithë. Ne dëgjuam një shpjegim të deputetit që ka marrë të drejtën t’i jap vendit Qeverinë edhe zyrtarisht nga Presidentja. E pamë që ishte njëfarë shfajësimi për gjendjen e vendit në të cilën jemi. Kuptohet ka mundur të shfajësohet edhe një grimë më shumë, të tregojë pse jemi në sanksione, pse na është ndalu Dialogu Strategjik, pse çmimi i energjisë është rritë kaq shumë e kemi kaq shumë problem. Tani ne si AAK, nuk e shohim të rrugës të debatojmë për një program të qeverisë në ardhje sepse nuk na u dha me shkrim, që është praktikë e zakonshme. Pra shihet që deputeti që u prezantua në emër të shumicës nuk ka program qeverisës fare”, tha ai.

Më tej Haradinaj u ndalë paksa edhe te premtimet që i dha Kurti.

“Në ato premtime që i tha, se paga minimale 500 euro, pensionet, lehonat edhe disa premtime të tjera, nëse vimë në Qeveri ne opozita, do t’i përmbushim pak më mirë. Njëkohësisht edhe investimet në siguri dhe mbrojtje do t’i rrisim pak më shumë. Kuptohet në rend dhe ligj, nuk do të bëhemi me të korruptuarit, por me Prokurorinë, institucionet e drejtësisë, që t’i japim krah atyre”, tha Haradinaj.

Haradinaj pati një përgjigje për Kurtin edhe sa i përket luftës hibride.

“Në fund, i nderuari deputet, që u paraqite në emër të shumicës, më habiti arsyeja pse e ceke luftën hibride sot, pas kaq vitesh në këtë foltore. Për mendimin tim, ti i nderuar je produkt i luftës hibride të armiqve tonë, pra ty të kanë kriju, ti e ke ushqyer këtë luftë hibride në vazhdimësi, ti ke punu sistematikisht me diskreditu çdo vlerë të këtij vendi, disa prej të cilëve i vuajnë pasojat sot të drejtësisë ndërkombëtare, disa më herët dhe si i tillë, po një ditë, është e vërtetë, lufta hibride e ha atë që e ka ushqyer, e tash të ka ardhë radha edhe ty. Të uroj sukses”, përfundoi Haradinaj fjalimin e tij në foltoren e Kuvendit, pasi Kurti nuk mori votat e mjaftueshme për ta krijuar qeverinë e re, ndonëse doli si partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Të ngjashme