Krasniqi shpjegon kufizimet ligjore për Qeverinë në detyrë dhe në dorëheqje

Prishtinë | 30 Tet 2025 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Albert Krasniqi nga “Demokraci Plus” ka treguar kompetencat e Kuvendit ndërmjet konstituimit dhe zgjedhjes së Qeverisë,  Kufizimet ligjore për Qeverinë në detyrë dhe në dorëheqje si dhe mundësia e vetme kur mund të miratohet buxhetit.

Ai shkruan se e vetmja mundësi brenda rrugëve ligjore dhe kushtetuese për miratimin e buxhetit është që partitë politike – veçanërisht ato opozitare – të bien dakord për formimin e një qeverie të përkohshme teknike, e cila do të kishte mandat të kufizuar vetëm për miratimin e Buxhetit Vjetor dhe Marrëveshjes për Planin e Rritjes së BE-së.

Postimi i plotë:

1. Kompetencat e Kuvendit ndërmjet konstituimit dhe zgjedhjes së Qeverisë

Nga momenti i konstituimit të Kuvendit të ri e deri në zgjedhjen e Qeverisë, seancat mund të thirren vetëm me kërkesë të mandatarit të dekretuar nga Presidentja për formimin e Qeverisë, dhe qëllimi i tyre është ekskluzivisht votimi i Qeverisë. Asnjë seancë tjetër e jashtëzakonshme, me çfarëdo rendi dite tjetër, nuk mund të mbahet në këtë periudhë. Për rrjedhojë, nuk mund të themelohen komisione parlamentare, as të shqyrtohen apo miratohen projektligje që kërkojnë bashkëpunim të rregullt ndërmjet dy pushteteve – legjislativit dhe ekzekutivit. Një legjislaturë që mund të shpërndahet në rast se nuk zgjedh Qeverinë, nuk ka nevojë për trupa punues, pasi në këtë fazë ka vetëm një punë –  të zgjedhë Qeverinë.

2. Kufizimet ligjore për Qeverinë në detyrë dhe në dorëheqje

Ligji për Qeverinë, neni 31, përcakton kufizimet që zbatohen për një Qeveri në dorëheqje. Sipas pikës 5 të këtij neni, këto kufizime vlejnë edhe për Qeverinë e cila ka përfunduar mandatin katërvjeçar të Kuvendit, pra për Qeverinë në detyrë. Në mesin e këtyre kufizimeve (paragrafi 1, nënparagrafi 1.2) përfshihet edhe ndalimi për miratimin e projektligjeve. Paragrafi 2 i të njëjtit nen bën një përjashtim të vetëm për Qeverinë në dorëheqje, duke i lejuar asaj që t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit Vjetor. Një përjashtim i tillë nuk ekziston për Qeverinë në detyrë, gjë që nënkupton se kjo e fundit nuk mund të propozojë as projektligjin për buxhetin, e aq më pak projektligje të tjera.

3. Mundësia e vetme për miratimin e buxhetit

E vetmja mundësi brenda rrugëve ligjore dhe kushtetuese për miratimin e buxhetit është që partitë politike – veçanërisht ato opozitare – të bien dakord për formimin e një qeverie të përkohshme teknike, e cila do të kishte mandat të kufizuar vetëm për miratimin e Buxhetit Vjetor dhe Marrëveshjes për Planin e Rritjes së BE-së. Një qeveri e tillë do të siguronte funksionalitetin institucional dhe do të shmangte bllokimin financiar të shtetit, duke respektuar njëkohësisht parimet e ndarjes së pushteteve dhe të legjitimitetit demokratik. Ky opsion do të parandalonte edhe abuzimet me fondet publike për qëllime klienteliste gjatë fushatave zgjedhore, si dhe do të parandalonte zvarritjen e qëllimshme të procesit të konstituimit pas zgjedhjeve të ardhshme.

Të ngjashme