Instituti Riinvest ka prezantuar raportin e Studimit Bazë për Ekonominë Qarkore në kuadër të projektit “POLICY ANSËERS” (Politika që japin përgjigje), raporton Ekonomia Online.
Drejtori ekzekutiv, Alban Hashani, theksoi se qëllimi i projektit është forcimi i kapaciteteve kërkimore dhe inovative në rajon, si dhe mbështetja e politikave të bazuara në evidencë për tranzicionin e gjelbër.
“Ky projekt ka për synim që të forcojë kapacitetin për kërkimin dhe inovacionin, në rajon si të rrisë përfshirjen e vendeve të huaja në hapësirën evropiane të kërkimeve përmes aktiviteteve të ndryshme. Ky projekt ka për qëllim që të mbështetë zhvillimin e politikave të bazuara në evidencë në fusha shumë të rëndësishme, përfshirë edhe tranzicionin e gjelbër që është edhe fokusi i diskutimit sot. Studimi që po prezantojmë përbën një pikënisje të rëndësishme për arsye se të dhënat për ekonominë qarkore në Kosovë nuk janë lehtësisht të qasshme dhe kemi pak informacione. Ky studim evidenton jo vetëm sfidat por edhe mundësitë për inovacion dhe bashkëpunim që këto kompani kanë në këtë kontekst. Është e rëndësishme që raporti bazohet në një metodologji mirë të konsoliduar. Për faktin që Kosova ende nuk është vend kandidat për BE nuk është e obliguar të hartojë këto raporte dhe të mbledhë të dhënat. Është në një mori fushash që fatkeqësisht na hendikepon në kontekst të mundësisë së të dhënave. Ne po provojmë të mbulojmë këtë hendek. Janë nxjerrë disa raste studimore”, ka deklaruar Hashani.
Gjatë prezantimit të raportit, Bujar Pira nga Instituti Riinvest tha se ekonomia qarkore në Kosovë është ende në fazë të hershme zhvillimi, por po shënon përparim të dukshëm.
Sipas tij, shumica e kompanive kosovare mbështeten në burimet e tyre financiare, ndërsa mungesa e ekspertizës teknike, mbështetjes së jashtme dhe qasjes në financa mbeten pengesat kryesore.
“Kjo është pjesë e një projekti që instituti është pjesë e tij. Njëra prej elementeve të projektit është studim bazë për ekonominë qarkore dhe si shihet prej këndvështrimeve të ndryshme, me pa se si është çështja në Evropë edhe Kosovë sa i përket rregullorit ligjor, dhe si qëndrojmë ne në BE dhe Ballkanin Perëndimor, dhe si është gjendja e bizneseve sa i përket ekonomisë qarkore. Është bërë një anketë me biznese, deri tani janë mbledhur mbi 96 të dhëna. Rezultatet sa i përket madhësisë së kompanive dallojnë prej kompanive mikro dhe të mëdha. Sa i përket qarkullimit vjetor kanë deklaruar deri në 50 mijë euro segmenti i kompanive mikro, dhe mbi 15 milionë që janë kompanitë e mëdha. Prej kompanive që janë anketuar, më shumë se gjysma janë të 10 viteve të fundit, më e vjetra në vitin 1987 dhe më e reja 2024. Një pjesë e madhe kanë dalë që merren me shërbime, dhe 1/3 shërbime bashkë me produkte, dhe 26 për qind me produkte. Bizneset kosovare mbeten të kufizuara nga mungesa e ekspertizës teknike dhe mbështetjes së dedikuar. Nuk dallojnë shumë nga trendet e bizneseve të ekonomive të BP. Shtrirja prej 29–85% në Kosovë tregon si përparimin, ashtu edhe boshllëkun e mbetur në nivelin e pjekurisë së ekonomisë qarkore. Gjysma e ndërmarrjeve industriale kursejnë energji dhe një e treta zvogëlojnë shpenzimet. Ulja e kostos është motivimi kryesor për shumicën e kompanive të ekonomisë qarkore. Përmirësimet në efikasitet, veçanërisht në energji, materiale dhe burime të rinovueshme, tashmë po sjellin përfitime të prekshme. Rezultati i uljes së shpenzimeve prej 35% në Kosovë tregon përparim të qartë dhe përputhje me shtetet e BE-së. Shkëmbimi i praktikave më të mira mund t’u ndihmojë kompanive kosovare të ndjekin dhe të rrisin përfitimet financiare nga ekonomia qarkore. Trendi i % së investimeve të kompanive kosovare varion paksa nga ai i ekonomive të BP dhe BE. Dallimi më i madh është kategoria e investimeve me pak se 1% dhe 11%–30% të qarkullimit të tyre vjetor. Kjo tregon se një numër i vogël i kompanive të specializuara investojnë % më të lartë të qarkullimit, dhe shumica e kompanive janë ende në fazat e hershme të zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve të gjelbra. Edhe në 2 vitet e ardhshme, më shumë se 1/3 e kompanive të anketuara planifikojnë të investojnë 1–5% të qarkullimit të tyre. Nuk dallojnë shumë nga vitet e kaluara as % e kompanive që do të investojnë mbi 30% as ata të cilët nuk planifikojnë të investojnë fare. Arsyeja mund të jetë edhe mbështetja e investimeve nga fondet vetanake. 70% e kompanive përdorin burimet e veta financiare për të zbatuar masa të efikasitetit të burimeve. Bujqësia; Ndërtimi, transporti, TIK; Shërbimet publike; Tregtia, akomodimi dhe shërbimet ushqimore 100% mbështeten në burimet e veta. Bujqësia mbështetet 100% edhe në financat publike (grante). Kjo më shumë duket sikur motivim/besim të fortë të brendshëm për veprimet rreth EQ, apo mungesë të mbështetjes së strukturuar të jashtme, financiare apo teknike. Shumica e kompanive veprojnë në mënyrë të pavarur, duke u mbështetur në financim të brendshëm. Mbështetjet e jashtme dominohen kryesisht nga programet publike ose iniciativa të financuara nga donatorët. Kjo tregon varësi të kompanive më shumë në projekte se sa në plane strategjike zhvillimore, mungesë të një infrastrukture shtetërore të konsoliduar për financim apo këshillim. Shumica e kompanive e lidhin përmirësimin e efikasitetit me rritjen e njohurive praktike dhe dëshminë se si teknologjitë operojnë. Preferenca e lartë e granteve pasqyron një nivel të kufizimeve financiare (qasje në kredi të përballueshme apo skema të dedikuara të financimit të gjelbër). Kjo pasqyron një fazë të hershme të zhvillimit të ekosistemit të EQ në Kosovë, ku financimi mbetet faktori vendimtar për zhvillim”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, raporti evidenton se bizneset vendore janë gjithnjë e më të vetëdijshme për rëndësinë e efikasitetit të energjisë dhe zhvillimit të produkteve të gjelbra, megjithëse nevojiten më shumë politika nxitëse dhe partneritete për të përshpejtuar tranzicionin drejt një ekonomie më të qëndrueshme.
“Krijimi i qasjes në këshilla profesionale dhe demonstrime të teknologjisë do të ndihmonte në uljen e varësisë nga ndihma financiare. Kompleksiteti institucional dhe i procedurave administrative mbetet pengesa më e madhe për procesin e tranzicionit në EQ në Kosovë. Vështirësia në qasje në financa e thellon edhe më shumë problemin. Mungesa e burimeve të kualifikuara njerëzore (ekspertiza e kufizuar teknike) është më e theksuar në Kosovë sesa në ekonomitë e BP, në veçanti në sektorin e bujqësisë. 39% e kompanive tregtare identifikojnë si problem mungesën e kërkesës për produktet dhe shërbimet e gjelbra. Ofrimi i produkteve dhe shërbimeve të gjelbra në Kosovë ndodhet ende në fazë të hershme zhvillimi. Kompanitë kosovare duket të jenë të nxitura më shumë nga dëshira sesa nga mundësia. Për të zhvilluar produkte të gjelbra kompanitë kosovare kryesisht mbështeten në iniciativa të bazuara në projekte ose të financuara nga donatorët. Ofrimi i stimujve fiskalë dhe mbështetja e partneriteteve midis prodhuesve dhe ofruesve të shërbimeve mund të ndihmojnë në rritjen e numrit të produkteve dhe shërbimeve më të gjelbra. Shumica e kompanive janë ende në fazat e hershme të zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve të gjelbra, ndërsa disa të tjerat po shfaqen si aktorë të specializuar në këtë fushë. EQ e Kosovës mbetet e fragmentuar, me vetëm pak kompani që kanë arritur të komercializojnë me sukses zgjidhje të qëndrueshme. Forcimi i kërkesës në tregun e brendshëm krahas eksportit, do t’u mundësonte kompanive kosovare të përparojnë drejt një strukture më të balancuar të të ardhurave të gjelbra. Kompanitë e gjelbra në Kosovë janë kryesisht të orientuara drejt tregut vendor. Kosova tregon një përparim inkurajues drejt ndërkombëtarizimit të tregut, megjithëse ende në shkallë të kufizuar. Pjesa relativisht e lartë e tregtisë me BE-në realizohet nga një grup i vogël, por i aftë në eksport. Por, nuk duhet lënë anash rëndësinë e tregut vendor dhe atij rajonal. Kufizimet financiare mbeten pengesa kryesore për inovacionin e gjelbër. Kompanitë gjithashtu e kanë identifikuar rëndësinë e informacionit të tregut dhe ekspertizës teknike në zhvillimin e produkteve/shërbimeve të gjelbra. Pjesa relativisht e lartë e kompanive kërkojnë stimuj financiarë, që tregon se ato përballen me mungesë likuiditeti. Kompanitë jo vetëm që duhet të kenë qasje në financim, por kanë edhe nevojë për asistencë teknike për të projektuar, zhvilluar dhe tregtuar me efektivitet produktet e gjelbra”, ka theksuar ai.



