Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se rritja e menjëhershme e pagës minimale në 500 euro, siç po pretendon Qeveria në detyrë, rrezikon bizneset, madje mund të çojë edhe deri në mbyllje të tyre, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Shahini tha se ky rrezik mund të vie pasi që nuk ka një analizë të thellë ekonomike, dhe se madje vendime të këtij formati nuk mund të merren nga një Qeveri në detyrë.
“Vendimet e Qeverisë së përkohshme, e cila është një qeveri që nuk mund të marrë vendime aq të mëdha sa për ta rritur pagën minimale, sepse janë kriteret të cilat duhet të plotësohen ekonomikisht. Dhe ne nuk kemi një analizë të thellë se a janë plotësuar kushtet për me u rrit pagën minimale apo jo”, ka deklaruar Shahini.
Sipas tij, një veprim i tillë do të mund të rrisë informalitetin dhe të vështirësojë gjendjen e bizneseve, të cilat tashmë po përballen me krizë ekonomike dhe përjashtime nga mekanizmat ndërkombëtarë financiarë.
“Premtim i fushatës zgjedhore mund të jetë, realisht rritja e pagës minimale do të rritë informalitetin në ekonomi, do të vështirësojë dukshëm bizneset për të siguruar pagën e punëtorëve, për shkak se Kosova është në krizë ekonomike, është nën sanksione ekonomike, është përjashtuar nga shumë mekanizma ndërkombëtarë që do të rridhnin shumë mjete financiare në Kosovë. Kur Kosova ka humbur më shumë se 2 miliardë euro të hyra, qoftë nga fondi për rritje i BE-së që janë mbi 880 milionë, e shumë projekte të tjera. Apo përjashtimi i Kosovës nga partneriteti strategjik i dialogut me SHBA-të ka ndikuar drejtpërdrejt në varfëri. Kosova e varfër me kërkesa të mëdha dhe me aktivitete të vogla nuk shkon në drejtim që të themi të rritet paga minimale”, shtoi ai.
Ndonëse përmend që Kosova ka pagën minimale më të voglën në Ballkan, por megjithatë thekson se asnjë nga to nuk është nën sanksione.
Ai paralajmëroi se rritja e menjëhershme e pagës minimale mund të detyrojë disa biznese të mbyllen ose të kalojnë në informalitet, duke e thelluar më tej krizën ekonomike në vend.
“E dimë që Kosova ka pagën minimale më të voglën në Ballkan. Por asnjë shtet nuk është i izoluar në Ballkan si Kosova dhe asnjë shtet nuk është nën sanksione si Kosova. Nuk dëshirojmë që për shkak të pagës minimale bizneset ta mbyllin atë ose ta kthejnë në informalitet, ose t’i qesin në një vështirësi tjetër që bizneset të hyjnë në kredi për të dhënë pagat e punëtorëve. Fitimet në biznes, sidomos në mikro e të vogla, janë tepër të limituara, janë para një krize të thellë dhe kjo do ta thellojë edhe më shumë krizën”, ka deklaruar kryetari i AKB-së për Ekonomia Online.

Të enjten, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka mbajtur një takim me disa përfaqëues të sindikatave për t’u konsultuar rreth pagës minimale. Pas këtij takimi ai doli me një shkrim në rrjetin e tij social “Facebook” duke thënë se paga minimale është instrument tejet i rëndësishëm që përcakton minimumin e pagesës së një ore pune, dhe ka për synim mbrojtjen e punëtorëve nga praktikat jo të mira.
“Nga ky takim, dëgjova propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave të cilët e mbështetën rritjen e pagës minimale, e poashtu dëgjova edhe rekomandimet që erdhën nga përfaqësuesit e bizneseve që kishin të bëjnë me nevojën për më shumë konsultime dhe pagë minimale të përshkallëzuar. Paga minimale është instrument tejet i rëndësishëm që përcakton minimumin e pagesës së një ore pune, dhe ka për synim mbrojtjen e punëtorëve nga praktikat jo të mira. Njëkohësisht, rritja e pagës minimale duhet të marrë parasysh edhe kushtet e tregut, dhe kapacitetin absorbues nga ana e ndërmarrjeve. Si qeveri, pagën minimale e rritëm për herë të parë pas më shumë se një dekade stagnimi, dhe premtuam që paga minimale do të rishikohej çdo vit. Nga takimi dola më i informuar, dhe patjetër që do ti kem parasysh të gjitha sugjerimet e rekomandimet kur të bëj propozimin e pagës minimale të re për miratim në Qeveri. I falënderoj të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmueshëm në këtë bashkëbisedim”, ka shkruar Murati.