Shtyhet seanca pasi mungoi Sveçla, Gjykata do të lëshojë urdhërarrest nëse nuk paraqitet edhe në seancën 16 janarit

Prishtinë | 31 Tet 2025 | 10:27 | Nga Gzim Mujaj

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018. Shkak për shtyrjen e seancës ishte mungesa e ministrit Sveçla, e që është arsyetuar mungesa, raporton Ekonomia Online. Ndërsa seanca është shtyrë për 16 janar 2026, e në rast se palët nuk paraqiten atëherë do të lëshohet urdhërarrest kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

Gjyqtari Sabit Sadikaj deklaroi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës, pasi mungon i pandehuri Sveçla, për të cilin gjykata kishte lëshuar urdhër për paraqitje me detyrim.

“Nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance pasi mungon Xhelal Sveçla, për të cilin gjykata ka lëshuar urdhrin. Ai ka arsyetuar mungesën,” tha ai.

Sadikaj pyeti gjithashtu të pandehurit Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi nëse kishin arsye për mungesat e mëparshme në seancë.

“Po, kam pasur arsye të cilat, si pasojë e angazhimeve të njëjta, mund t’i përcjell me shkrim,” është përgjigjur Zyba.

“Po, kam pasur arsye, i dërgoj me shkrim,” është përgjigjur Pacolli-Dalipi.

Trupi gjykues vendosi që seanca e sotme të mos mbahet dhe ta shtyjë për 16 janar.

Ai bëri të ditur se në rast mungese Gjykata do të lëshoj urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit për palët.

 “Pasi i pandehuri Xhelal Sveçla e ka njoftuar gjykatën me shkrim duke arsyetuar mungesën, seanca e sotme nuk mbahet, e njëjta do të shtyhet për 16 janar. Të Sveçla gjykata dërgon ftesë të rregullt. Secila palë që mungon, ndaj asaj pale të lëshohet urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit,” tha gjyqtari Sadikaj.

Të ngjashme