Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në Kosovë aktualisht nuk ekziston një shumicë parlamentare funksionale.
Në një postim në Facebook, pas takimit të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive parlamentare, Abdixhiku tha se qëndrimi i LDK-së se vendi nuk ka shumicë në Kuvend është vërtetuar pas tetë muajsh ngecjeje politike.
“Mora pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Kosovës znj. Vjosa Osmani Sadriu, me kryetarë të partive tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Në këtë takim theksova se qëndrimi e konstatimi i LDK-së se në Kosovë, sipas rezultatit të 9 shkurtit, nuk ka shumicë parlamentare, del të jetë qëndrimi i vetëm i vërtetë. Ndonëse na u humbën 8 muaj kohë për të kuptuar këtë gjë, ja ku jemi sërish në vendin e njejtë. Ironikisht, në takim u diskutua dhe për një tranzicion qeverisës e unitet qeverisës; për t’i kapërcyer çështjet urgjente siç kishim propozuar me Qeverinë e Unitetit dhe planin tonë 15 pikësh shumë muaj më parë. Fatkeqësisht ky propozim, vizion e drejtim ishte përqeshur e hedhur poshtë. Sot jemi vonë. Vonë për të humbur ditë të tjera duke mos pasur guxim politik për të qenë të vërtetë me veten dhe popullin e Kosovës. Sot kërkohet guxim politik që të pranohet një fakt i thjeshtë; se në Kuvendin e Kosovës nuk ka shumicë. Askush nuk po arrinë të sigurojë këtë shumicë. Askush, nuk do të arrijë ta krijojë këtë shumicë. Prandaj, jemi vonë. Vonë për lojëra të tjera politike. Afatet kushtetuese po rrjedhin pa kthim, fatkeqësisht shkuarja në zgjedhje të reja mbetet alternativa e vetme. LDK pret të respektohet qëndrimi i të gjitha partive, nëpërmjet tyre dhe popullit të Kosovës, dhe me këtë të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.