Presidentja Osmani: Dëshmi shtesë e qasjes së Serbisë hegjemoniste, bota demokratike duhet të reagojë

Prishtinë | 03 Nën 2025 | 21:13 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas plagosjes dhe rrëmbimit të një qytetari serb të Kosovës nga forcat serbe, duke e cilësuar këtë akt si dëshmi të qasjes hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës.

“Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës,” ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.

Ajo ka thënë se ky veprim tregon se regjimi i Aleksandar Vuçiqit nuk kursen as vetë qytetarët serbë që guxojnë të flasin kundër tij.

“Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme,” ka theksuar presidentja.

Osmani ka bërë thirrje për reagim të bashkësisë ndërkombëtare, duke paralajmëruar se veprime të tilla kërcënojnë paqen në rajon.

“Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë,” tha ajo.

Presidentja ka kërkuar unitet të plotë brenda Kosovës përballë këtyre provokimeve.

“Skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla,” shtoi Osmani.

Të ngjashme