Java e vetëdijesimit për qasje në financa për personat me aftësi të kufizuara, kërkohet përmirësim i kushteve

Prishtinë | 07 Nën 2025 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës, me mbështetje të Fondit Evropian për Evropën Juglindore, ka lansuar Javën e Vetëdijesimit për Qasje në Financa për Personat me Aftësi të Kufizuara, raporton Ekonmia Online.

Derisa u vë në theks se institucionet po bëjnë çmos për këtë kategori, në të njëjtën u potencuan barrierat me të cilat ballafaqohen ata.

Kryetari i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bekim Krasniqi, kërkoi përmirësimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale për këtë kategori.

“Për personat me aftësi të kufizuara nuk është e lehtë, duke marrë parasysh barrierat që ata hasin qoftë në infrastrukturë – qasje fizike, në shtrirjen e rrjetit të bankomatëve dhe në qasjen digjitale, e cila nuk është e mjaftueshme për grupe specifike. Shpresoj se përmes kësaj konference do të merren parasysh këto komente dhe të merren hapa konkretë për qasje sa më të favorshme për personat me aftësi të kufizuara. Duke pasur parasysh që personat me aftësi të kufizuara janë kategori e cenueshme, ju bëj thirrje të krijohen kushte sa më të favorshme që personat me aftësi të kufizuara që kanë ide biznesesh apo qëllime për zhvillime më tutjeshme dhe pavarësim përmes aktiviteteve financiare, t’u mundësohen kushte të favorshme”, tha Krasniqi.

Qëllimi i kësaj nisme sipas Zëvendësguvernatores së BQK-së, Nesrin Shileku Shala, është promovimi i përfshirjes dhe barazisë në qasjen financiare, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet sektorit financiar dhe organizatave të personave me aftësi të kufizuara.

“Sot kemi kënaqësinë të jemi së bashku për të diskutuar një temë të veçantë – përfshirjen dhe qasjen e personave me aftësi të kufizuara në shërbimet financiare. Kjo konferencë organizohet nga BQK në bashkëpunim me Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës, si dhe është financuar nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore. Qëllimi i kësaj fushate është të promovojë përfshirjen financiare dhe barazinë e qasjes, si dhe të nxisë iniciativa të bashkëpunimit ndërmjet sektorit financiar dhe organizatave përfaqësuese të personave me aftësi të kufizuara për të ndërtuar një sistem financiar më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm për të gjithë qytetarët. Një ndër qëllimet strategjike të BQK-së për vitin 2024-2028 është edhe avancimi i mbrojtjes së konsumatorit, edukimit financiar dhe përfshirjes financiare. Në këtë kuadër, BQK-ja vazhdon të marrë iniciativa konkrete që synojnë promovimin e edukimit financiar, qasjes në financa dhe gjithëpërfshirjes financiare dhe praktika më të mira në ofrimin institucional financiar. BQK-ja mbetet e përkushtuar në adresimin e nevojave të grupeve që mund të jenë më pak të përfshira në sistemin financiar. Mospërfshirja financiare prek një sërë komunitetesh, përfshirë personat me aftësi të kufizuara, individët me të ardhura të ulëta dhe ata që jetojnë në zonat rurale ose të largëta. Për të përmirësuar qasjen për të gjithë qytetarët, BQK-ja po punon ngushtë me institucionet financiare për të zgjeruar shtrirjen e tyre”, ka theksuar Shileku-Shala.

Ndërsa Agon Dobruna, zëvendësministër në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, potencoi rëndësinë e përfshirjes së plotë të kësaj kategorie në jetën ekonomike e sociale, duke përmendur edhe rritjen e pensioneve dhe lehtësimin e procedurave administrative.

“Përfshirja e plotë dhe e barabartë e personave me aftësi të kufizuara në jetën ekonomike dhe sociale të vendit tonë është jo vetëm detyrim moral dhe ligjor, por është edhe pasqyrim i vlerave si shoqëri gjithëpërfshirëse në Kosovë. Një nga arritjet më të dukshme është rritja e pensioneve nga 120 në 150 euro për këtë kategori. Kemi punuar për thjeshtësimin e procedurave për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe personat e verbër duke mundësuar aplikimin elektronik për marrjen e statusit dhe në raste të caktuara kemi mundësuar vizita në familjet e tyre për të tërhequr barrën e transportit. Çdo vit vazhdojmë në mbështetjen e familjeve të cenueshme, përfshirë edhe familjet me persona të kufizuar, që përfshin edhe subvencionimin e energjisë elektrike që fillon këtë muaj. Kjo ndihmon një shoqëri gjithëpërfshirëse, angazhimi na ofron drejt objektivit të përbashkët”, shtoi Dobruna.

Petrit Balija, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, tha se sektori bankar po punon drejt zgjerimit të qasjes së barabartë në të gjitha degët bankare dhe përmirësimit të shërbimeve digjitale.

“Sektori bankar luan një rol të rëndësishëm në shumë fusha jetësore për të gjithë qytetarët pa dallim, e në veçanti për personat me aftësi të kufizuara, është një nga shërbimet jetike që iu mundëson një funksionim sa më të mirë të jetës së përditshme, por edhe t’u japë mundësinë të japin kontributin e tyre në shoqëri përmes angazhimit të tyre profesional dhe afarist. Prandaj është e rëndësishme që shërbimet financiare të jenë sa më gjithëpërfshirëse dhe t’u japin mundësi për qasje në financa edhe personave me aftësi të kufizuara. Sektori bankar, e dimë që ka një shtrirje të gjerë në Kosovë me 235 degë bankare gjithsej, ku 176 nga to ofrojnë qasje për personat me aftësi të kufizuara. Dhe në të ardhmen synohet që të bëhen të gjitha degët me qasje të barabartë për të gjithë. Investimet në kanalet digjitale kanë qenë një strategji e sektorit bankar që u shërben të gjithë qytetarëve, por edhe personave me aftësi të kufizuara, sepse shërbimet digjitale mund të bëhen në çdo kohë dhe në çdo vend. Në këtë aspekt kemi bërë edhe angazhime të shohim se cilat janë nevojat e kësaj kategorie dhe kjo bëhet më së miri me bashkëpunim me organizata”, deklaroi Balija.

Të ngjashme