Sunny Hill Festival ka nënshkruar një marrëveshje të re partneriteti me European Talent Exchange, një platformë evropiane që mbështet artistë të rinj dhe u ofron atyre mundësi për prezantim në skenat ndërkombëtare të muzikës.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të skenës muzikore kosovare, duke i mundësuar artistëve të rinj nga Kosova të kenë qasje në festivale, ngjarje kulturore dhe rrjetet profesionale të muzikës në mbarë Evropën.
Rezultatet e para të këtij partneriteti tashmë janë shfaqur: këngëtarja e re kosovare, Bana Zahiti, është ftuar të performojë në Eurosonic Noorderslag (ESNS) – një nga festivalet dhe konferencat më prestigjioze të muzikës në Evropë, i njohur për promovimin e talenteve të reja përpara një audience të madhe profesionistësh dhe organizatorësh të industrisë muzikore.
“Ky partneritet ofron mundësi të reja për artistët tanë dhe për muzikën kosovare në përgjithësi,” – tha Shpat Begolli, udhëheqës i Sunny Hill Festival. “Festivali ynë, si platformë e rëndësishme e muzikës bën përpjekje të vazhdueshme të krijojë mundësi të reja që ndihmojnë artistët tanë të talentuar të zënë vendin që ata e meritojnë në skenën ndërkombëtare.”
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Sunny Hill Festival do të zgjerojë më tej rrjetin e partnerëve evropianë dhe do të mirëpresë në Prishtinë artistë të rinj pjesë të European Talent Exchange, duke kontribuar në ndërtimin e një skene të gjallë, bashkëkohore dhe të ndërlidhur muzikore në Kosovë dhe rajon.
Me këtë iniciativë, Sunny Hill Festival rikonfirmon misionin e tij për të promovuar kulturën, kreativitetin dhe potencialin artistik të Kosovës, duke e pozicionuar vendin si një pikë të rëndësishme në hartën muzikore evropiane.