Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i ka quajtur defilimi vizitat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti në disa komuna ku garojnë kryetarët e saj, dhe atij të nënkryetari të VV-së, Galuk Konjufca, raporton Ekonomia Online.
Tahiri u ka bërë thirrje që ditën e zgjedhjeve, ta lënë të shënohet me festë dhe se prezenca e Kurtit e Konjufcës në një apo formë tjetër sipas tij është ndikim. Kështu tha Tahiri në konferencën për media nga selia e AAK-së, teksa tregoi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në këtë raund të dytë të zgjedhjeve që po mbahen në 18 komuna.
“Nga të dhënat që kemi nga shtabet tona zgjedhore, informatat tona tregojnë se mbarëvajtja e procesit zgjedhor deri më tani ka kaluar mirë, pa ndonjë eksces të theksuar. Po ashtu, ajo që kemi parë deri në këtë rreth është se ka një dalje më të vogël të qytetarëve krahasuar me raundin e parë, diku rreth 21 për qind. Të dhënat nga komunat tregojnë se ka pasur disa ankesa, të cilat lidhen me votimin e personave me aftësi të kufizuara, të cilat ne i kemi raportuar në KQZ. Ndërsa në orët e fundit kemi vërejtur një defilim të zyrtarëve që mbajnë funksione shtetërore dhe të cilët kanë kaluar në qytete të tjera, gjë që në një formë ose tjetër mund të ketë ndikim. Kërkesa jonë është e thjeshtë: kjo është një ditë feste. Për Aleancën, kjo do të jetë me të vërtetë një festë e madhe, një ndër fitoret më të mëdha politike dhe një fuqizim e rikthim i fuqishëm i Aleancës. Prandaj, mos ta prishim këtë ditë përmes defilimeve të tilla”, theksoi Tahiri.
Tahiri u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit.
“Nga këtu, i ftojmë të gjithë qytetarët ta japin kontributin e tyre më të madh në demokraci, sepse dalja në zgjedhje, pa asnjë dyshim, është momenti i gjykimit për secilin prej nesh, por edhe akti më i rëndësishëm i kontributit qytetar. I ftojmë qytetarët të dalin dhe të votojnë”, tha Tahiri.
