Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Junik ka ngritur sot një shqetësim serioz lidhur me procesin e votimit në këtë komunë, duke denoncuar se në orët e fundit është tentuar ndryshimi i vullnetit të qytetarëve përmes votimeve të jashtëligjshme.
Sipas AAK-së, dy persona të paautorizuar kanë votuar në Junik pa qenë banorë të kësaj komune. Sipas njoftimit, bëhet fjalë për Jeton Nitaj nga Drenoci dhe Kreshnik Smani nga Peja, të cilët janë cilësuar si “votues të huaj”.
AAK bën thirrje urgjente që Prokuroria e Shtetit dhe Policia të ndërhyjnë menjëherë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj këtyre personave dhe kujtdo që është përfshirë në këtë veprim të paligjshëm.
“Mbrojtja e demokracisë është në duart e Prokurorëve dhe Policëve prezent, andaj kërkojmë që të veprohet sipas ligjit. Për Junikun duhet të vendosin Junikasit!”, thuhet në reagimin e AAK-së.