Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli e ka vlerësuar të panevojshme përfshirjen e Prokurorisë për dyshimet që u ngritën për fletëvotimet në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN), raporton Ekonomia Online.
Dugolli në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se vullneti i qytetarëve nuk mund të tjetërsohet as të zhbëhet.
“Prokuroria e ka urdhëruar që të filloj rinumërimi apo numërimi në Mitrovicë i votave e gjitha çka mund të them është se ka qenë e panevojshme tejet e panevojshme gjithë kjo fryrje e madhe që është bërë me këto kuti votimi për shkak se vullneti i qytetarëve nuk mund të tjetërsohet as të zhbëhet, ai është aty në kutitë e votimit të fletëvotime dhe kushdo që pretendon për ndonjë parregullsi do të duhej që fillimisht të ndiqet hapat ligjore zyrtare që janë sepse KQZ-ja është organi i vetëm i cili merr vendime për fillimin e numërimit apo ndalimin e tyre, pezullimin e tyre më pastaj ka edhe shkallë të tjera siç janë PZAP, Gjykata Supreme e me radhë ata që kanë pretenduar që ka dyshime do të duhej që në ven të këtij alarmi të rrejshëm që e dhanë dhe nuk i lanë shije të mirë procesit zgjedhor do të duhej që të ndiqnin ata hapa”, ka deklaruar Dugolli.
Ai shtoi se Prokuroria dhe Policia nuk është dashur të përfshihen në këtë proces pa u shteruar fillimisht hapat institucionalë përmes KQZ-së, PZAP-it dhe Gjykatës Supreme.
“Ndonëse ata na kanë thënë shpeshherë që janë institucional dhe i ndjekin hapat institucional, ka qenë dashtë ti shfrytëzojnë ata hapa zyrtar dhe të mos ngjallin panik, kësi lloj alarmi i cili nuk i shkon për shtati askujt, për shkak se vullneti i qytetarëve është në kuti në ato fletëvotime është aty dhe nuk lëviz. Nuk bëhet fjalë për ndonjë qendër votimi kur qytetarët votojnë dhe në mungesë të hapat të tjerë thirret prokuroria apo policia, ky rast është krejtësisht diçka tjetër i cili në rast se vërtetë kishte pasur ndonjë argument dhe më pastaj mbas gjitha atyre shkallëve do të aktivizohej edhe prokuroria. Ka qenë e pa nevojshme aktivizimi i prokurorisë edhe i policisë në këtë proces”, shtoi ai.
E akuzat e PDK-së, ai i ka quajtura të pabaza.
“Akuzat e PDK-së janë krejtësisht të pabaza nuk do të duhej që pas përfundimit të suksesshëm të këtij procesi zgjedhor edhe pas pranimit të rezultatit nga vet zotëri Tahiri që ishte kandidat i PDK për kryetar i Mitrovicës, ai vet e ka pranuar rezultatin dhe e ka uru madje Pecin. Nuk do të duhej që PDK të bënte alarme dhe të binte në këtë situata për shkak se është e pa mundur që të ndërrohet rezultati i vullnetit të qytetarëve”, përfundoi ish-deputeti.
Në QKN pritet të vazhdojë verifikimi i fletëvotimeve, pasi Prokuroria dha urdhrin që të fillojë ky proces i cili po me urdhrin e tyre ishin ndërprerë këtë proces.
Aty mbrëmë veç Prokurorit ka shkuar edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha, ishin përfaqësuesit e partive politike nga KQZ, por edhe simpatizantë të PDK-së të cilët kanë kërkuar “hajnat në burg”.
Më 9 nëntor në 18 komuna u mbajtën zgjedhjet lokale, e ku në Mitrovicë të Jugut në garë ishin kandidati i LVV-së, Faton Peci dhe ai i PDK-së, Arian Tahiri.
Në bazë të rezultateve të KQZ-së, fitues doli Faton Peci, e i cili menjëherë u urua edhe nga kundërkandidati i tij Tahiri.
