Më 17 nëntor shënohet Dita Botërore Kundër Kancerit të Qafës së Mitrës, një ditë e dedikuar për rritjen e ndërgjegjësimit, promovimin e masave parandaluese dhe nxitjen e veprimeve globale drejt eliminimit të një sëmundjeje pothuajse tërësisht të parandalueshme. Këtë vit, kjo ditë shënohet me moton “Vepro Tani: Zhduke Kancerin e Qafës së Mitrës”, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit, skriningut dhe zbulimit të hershëm si mënyrat më efektive për të ulur incidencën dhe vdekshmërinë.
Kanceri i qafës së mitrës mbetet një ndër kanceret më të zakonshëm tek gratë, duke prekur miliona gra në botë. Faktor kryesor i zhvillimit të tij është infeksioni me HPV (Human Papillomavirus), i cili transmetohet seksualisht. Edhe pse shumica e infeksioneve eliminohen natyrshëm nga organizmi, tipet e rrezikut të lartë të HPV-së mund të çojnë në ndryshime qelizore që përfundimisht zhvillohen në kancer.
Sipas të dhënave të OBSH-së, vetëm në vitin 2022 janë regjistruar 660,000 raste të reja dhe rreth 350,000 vdekje, ku 94% e tyre ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për shkak të mungesës së vaksinimit, skriningut dhe trajtimit të hershëm.
Edhe në Kosovë, kanceri i qafës së mitrës vazhdon të jetë ndër llojet më të përhapura të kancerit tek gratë, duke u renditur i dyti pas kancerit të gjirit. Sipas të dhënave të fundit:
Në vitin 2020 janë regjistruar 108 raste,
Në vitin 2023 janë regjistruar 167 raste, numri më i lartë gjatë periudhës 2019–2023,
Ndërsa në vitin 2024 janë raportuar 140 raste, që përbëjnë 3.0% të të gjitha rasteve të kancerit; nga 3644 rastet e reja, 124 raste (3.4%) lidhen me kancerin e qafës së mitrës.
Për t’iu përgjigjur këtij shqetësimi të rëndësishëm shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë ka hartuar Planin e Veprimit për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës 2026–2028. Plani synon të forcojë parandalimin, zbulimin e hershëm dhe menaxhimin e kësaj sëmundjeje, duke u harmonizuar me objektivat globale të OBSH-së dhe duke kontribuar në iniciativën ndërkombëtare për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës si problem të shëndetit publik.
Ministria e Shëndetësisë rithekson rëndësinë e vaksinimit kundër HPV-së, kryerjes së rregullt të testeve të skriningut dhe informimit të vazhdueshëm të grave dhe vajzave, si hapa kyç për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës.