Kadrijaj: Aktgjykimi është i padrejtë, Aleanca do t’i japë nënshkrimet për seancën e jashtëzakonshme

Prishtinë | 16 Sht 2026 | 18:52 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, e ka cilësuar si politik aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të shpallur sot nga Dhomat e Specializuara në Hagë, raporton Ekonomia Online.

Kadrijaj ka thënë se qytetarët e Kosovës e kanë dhënë verdiktin e tyre në Marshin për Liri, ndërsa ka kundërshtuar që aktgjykimi të lidhet me emrin e popullit të Kosovës.

“Është një gjykim politik, është marre kjo çfarë ka ndodhur edhe për këtë verdikt me thënë që “po ju dënojmë në emër të popullit të Kosovës”. Kosova dhe qytetarët e Kosovës e kanë dhënë verdiktin, e kanë shpallë të pafajshëm me 12 shtator në marshin për liri, i cili ka qenë një marsh masiv ku kanë qenë mbi 100 mijë qytetarë. E keni parë protestat sot anembanë Kosovës. Jo në emër të Kosovës, jo në emër të popullit të Kosovës! Kjo është një gjykatë puro politike, e hartuar me dosje të hartuara nga Serbia dhe nga bashkëpunëtorët e Serbisë, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë, ka bërë luftë çlirimtare dhe një shpallje e tillë do të duhej të shkonte në Serbi, jo me tejkalu kombin edhe vendi i cili ka kryer gjenocid, ka kryer krime, dhunime dhe ushtarët tanë me heroizmin e tyre të dënohen edhe të ndëshkohen me një masë të tillë, është kjo për turp, është marre çfarë kanë vendost”, tha ajo.

Sa i përket nismës për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për zhbërjen e Gjykatës Speciale, Kadrijaj tha se deri në momentin e deklarimit të saj nuk janë kontaktuar për dhënien e nënshkrimeve.

“Ende ende nuk jemi kontaktuar. Për momentin që do të kontaktohemi, ju e dini që Aleanca veç ka votuar kundër, do i japim nënshkrimet. Kemi qenë të gatshëm, ne do i përgjigjemi pozitivisht”, tha ajo.

Të ngjashme