Shahini: ZRRE dhe Qeveria dështuan në energji, Gjykata Supreme u detyrua ti korrigjojë gabimet e tyre

Prishtinë | 17 Nën 2025 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini ka thënë vendimi i Gjykatës Supreme e cila shpalli të paligjshëm Udhëzuesin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) zbulon dështimin profesional dhe institucional të ZRRES-së dhe Qeverisë në menaxhimin e sektorit energjetik.

“ZRRE dhe Qeveria dështuan në energji — Gjykata Supreme u detyrua ti korrigjojë gabimet e tyre! Vendimi i Gjykatës Supreme për ta shpallur të paligjshëm Udhëzuesin e ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë e zbulon qartë dështimin profesional dhe institucional të ZRRE-së dhe të Qeverisë në menaxhimin e sektorit energjetik. Ky akt tregon se rregullatori ka vepruar për vite të tëra me akte nënligjore të paqëndrueshme, të hartuara jashtë standardeve evropiane dhe pa asnjë analizë reale të ndikimit ekonomik, duke e futur tregun e energjisë në kaos dhe duke cenuar drejtat e konsumatorëve dhe bizneseve. ZRRE ka humbur funksionin e saj bazë, mbrojtjen e interesit publik. Në vend të rregullimit profesonal, ka prodhuar pasiguri juridike, përplasje me legjislacionin dhe mjegullim të kriterieve për kalimin në tregun e lirë. AKB e ka ngritur këtë shqetësim vazhdimisht, por është injoruar nga një rregullator dhe qeveri që kanë marrë vendime politike, jo ekonomike”, thuhet në reagim të tij.

Ai për këtë e ka bërë përgjegjëse direkt Qeverinë.

“Qeveria po ashtu mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Lejimi i zbatimit të akteve të paligjshme dhe mungesa totale e mbikëqyrjes profesionale tregojnë për një qasje të rrezikshme që e dëmton stabilitetin e sektorit energjetik dhe kredibilitetin e institucioneve të Kosovës”, shkruhet mes tjerash.

Ai ka dhe një thirrje urgjente, atë të rishikimit të politikave energjetike.

“AKB kërkon urgjentisht përgjegjësi, rishikim të plotë të politikave energjetike dhe përfshirje të domosdoshme të komunitetit të biznesit në çdo proces rregullator. Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht me institucione që gabojnë në dokumentet themelore ligjore dhe që pastaj korrigjohen nga gjykatat” tha Shahini.

Të ngjashme