MPJD për lirimin e ish-policit Arbnor Spahiut: Akuzat e Serbisë ishin të pabazuara

Prishtinë | 22 Nën 2025 | 11:48 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se shtetasi i Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu, është liruar nga paraburgimi në Serbi, ku ishte mbajtur për një periudhë të zgjatur nën akuza të pabazuara për “vrasje të rëndë” të lidhura me ngjarjet në Banjskë të vitit 2023. Sipas MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka konfirmuar lirimin e tij, ndërsa institucionet kosovare kanë ndjekur nga afër tërë procesin që nga dita e arrestimit.

Në njoftim theksohet se Ministria, së bashku me institucionet tjera përgjegjëse, ka ofruar mbështetjen e nevojshme dhe ka insistuar vazhdimisht në respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë ndaj Spahiut. MPJD rithekson se akuzat e ngritura nga autoritetet serbe kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, ndërsa paraburgimi i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë.

“Sipas MPJD-së, lirimi i z. Spahiu konfirmon qartazi se pretendimet e Serbisë lidhur me rastin në fjalë nuk kanë qëndruar dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve tanë është praktikë që duhet të marrë fund”, thuhet në njoftim. Po ashtu, Ministria ka falënderuar të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në trajtimin e drejtë të këtij rasti, duke shtuar se mbetet e përkushtuar të mbrojë çdo qytetar të Republikës së Kosovës kudo që ndodhet.

Të ngjashme