Lidhja Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje diasporës që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 28 dhjetor në Kosovë, teksa në konferencë për media ish-deputeti Armend Zemaj foli edhe për bisedimet që janë bërë mes kryetari Lumri Abdixhiku dhe atij të Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, raporton Ekonomia Online.
Ish-deputeti i LDK-së Armend Zemaj duke iu referuar diskutimeve që ndodhën në mbledhjen e KQZ-së një ditë më parë, tha se procesi i votimit të mërgatës është proces i shtetit dhe jo i partive politike.
“LDK e mirëpret këtë proces dhe e vlerëson si pjesë të pandashme të funksionimit të një demokracie transparente dhe gjithëpërfshirëse. Të gjithë qytetarët tanë që jetojnë në mërgatë dhe që nuk kanë mundësi të jenë në Kosovë në ditën e zgjedhjeve i ftojmë të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Zëri i tyre ka vlerë, vota e tyre ka peshë dhe pjesëmarrja e tyre është e domosdoshme për të ardhmen e vendit tonë. Fatkeqësisht këto ditë jemi dëshmitar të përpjekjeve për të ushtruar presion dhe ndikim politik mbi procesin e votimit të mërgatës duke u përpjekur që të pengohet miratimi i buxhetit të domosdoshëm për administrimin e këtij procesi. Ne i bëjmë thirrje VV-së që të qëndrojë larg çdo tentative për ndërhyrje në këtë proces, preson apo bllokim qoftë përmes postës, qoftë përmes votimit në konsullata apo ambasada. Procesi i votimit të mërgatës është proces i shtetit e jo i partive politike, respektimi i tij është obligim institucional dhe jo opsion politik. Mërgata e Kosovës ka qenë gjithmonë shtylla e proceseve tona shtetndërtuese, në ditët më të vështira mërgata ishte krah nesh, në momentet më vendimtare ishte zëri i arsyeshëm dhe i vendosur për të mirën e vendit tonë”, tha Zemaj.
Sa i përket marrëveshjeve politike ka thënë se afati është deri më datën 7 sepse të gjithë ata që shkojnë do të garojnë si LDK.
Ai madje foli edhe për bisedimet e LDK-së me NISMA-n.
“Kemi bashkëbisedim edhe me grupet e tjera politike. Mendoj që ata të cilët besojnë se përmes programit dhe përfaqësimit të LDK-së mund të arrijnë edhe në fitore, edhe në ndryshimin e kësaj qeverisje, nuk kanë asnjë arsye për ndonjë barrikadim në strukturë e përfaqësim. Nuk e di dhe nuk kam dëgjuar që ka pasur diçka që ka qenë problematike ose ndonjë diskutim që do të mund të krijonte barrikadim, qoftë të afërsisë ose të largësisë. Krejt kjo është kompetencë e kryetarit dhe grupeve tjera politike që janë në bisedim për të ardhur si partner i listës së LDK-së”, tha ai
“Ka pasë bisedime parimore, nuk them se nuk ka edhe teknike por janë edhe në përmbajtjen që atë që e ka thënë vetë kryetari i LDK-së pas takimit të kryesisë”, sqaroi Zemaj.
